Veliu marrëveshje me TIA -n për sigurinë në aeroport: Kamera me cilësi të lartë 24h, do monitorohen dhe nga Polica

20 Nëntor 2019, 18:06

TIRANË- Policia e Shtetit dhe Tirana International Airport (TIA) nënshkruajnë marrëveshjen e bashkëpunimit për rritjen e sigurisë në aeroportin “Nënë Tereza”. Nga ana e policisë është kërkuar që TIA të rrisë nivelin e sigurisë në rrethimin e aeroportit, ndërsa drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu tha se duhet të rritet cilësia e kamerave të sigurisë, si dhe të qëndrojnë 24 orë ndezur.

“Marrëveshja konstiton në rritjen e parametrave të sigurisë dhe detyrimet që duhet të ketë TIA, përsa i përket detyrimeve që duhet të ketë ky institucion në lidhje me vendosjen e kamerave të sigurisë të një cilësie shumë të lartë të një shërbimi 24 orë ku të monitorohet edhe nga Policia e Shtetit. Njëkohësisht edhe për kushtet e tjera të sigurisë përsa i përket rrethimit, mënyrës së protokollit të hyrje-daljeve, personeli i cili duhet të futet. Pra, janë një sërë normash të cilat janë përcaktuar në këtë marrëveshje që do të ndikojnë sigurisht në rritjen e parametrave të sigurisë, njëkohësisht edhe në forcimin e bashkëpunimit ndërmjet Policisë së Shtetit dhe TIA-s. Punonjësi i Policisë, mbi bazën e marrëveshjes është vendosur edhe për monitorimin e kamerave në sallën e cila është aktualisht funksionale, por në marrëveshjen e re është përcaktuar që do të jetë një sallë edhe më e madhe me sistemet e fundit, ku padyshim që Policia e Shtetit do të jetë present në monitorim. Njëkohësisht, në marrëveshje është përcaktuar edhe rikonstruksioni dhe shtimi i ambienteve të policisë. Në ligj përgjegjësia është TIA-s, ne jemi partner”, tha Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit,  Ardi Veliu.

Më herët aeroporti i Rinasit u vu në qendër të akuzave lidhur me sigurinë në të, për shkak edhe të supergrabitjes së ndodhur në 9 Prill të këtij viti, ku miliona euro u morën brenda pistës nga barku i avionit.