Veliu mesazh falenderues policëve: Keni kaluar pritshmëritë e mia, por keni marrë vlerësimin e qytetarëve! Kjo na bën krenar

3 Prill 2020, 10:10 | Përditesimi i fundit: 2020-04-03 10:11:49

TIRANË- Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Ardi Veliu ka zgjedhur që të falenderojë publikisht policët, të cilët edhe ata janë në vijën e parë në betejën me koronavirusit.

Ai shprehet se do kishte dashur që falenderimin t'ua bënte një e nga një të gjithë uniformave blu, por për shkak të pamundësisë për t'i takuar u ka dërguar një audio-mesazh.

Shprehet se ndihet krenarë për punën e bërë deri më tani, madje Veliu shton se i kanë tejkaluar pritshmëritë e tij si drejtor, e mbi të gjtha kanë marrë edhe vlerësimin e qytetarëve.

Mesazhi i plot i Ardi Veliut
Në këtë periudhë mjaft të vështirë dhe krejtësisht të pazakontë në kujtesën e brezave tanë, po ju drejtohem me këtë mesazh për t’ju shprehur publikisht falënderimet e mia për punën e mrekullueshme që po bëni, si në përmbushjen e detyrave tuaja funksionale, ashtu edhe në ndihmesën e dhënë ndaj qytetarëve e shtresave në nevojë.

Zgjodha këtë formë mesazhi, pasi nuk kam mënyrë tjetër t’i drejtohem secilit personalisht për t’i shprehur mirënjohjen time dhe të gjithë organizatës së Policisë, për sakrificat dhe përkushtimin e treguar në këto ditë, sa të trazuara, aq edhe të rrezikshme, për të gjithë ju, për të gjithë ne, si qytetarë të këtij vendi.

Ndihem krenar që ju po tregoni në këto ditë vendimtare, ato vlera që përbëjnë esencën e Policisë së Shtetit, besueshmërinë, përgjegjshmërinë, shpirtin e grupit, kohezionin. Më vjen mirë që keni përmbushur e madje tejkaluar jo vetëm pritshmëritë e mia si Drejtor i Përgjithshëm, por ajo që është më e rëndësishme, keni marrë vlerësimin e qytetarëve. Kjo na bën krenar të gjithëve dhe ngre në një vend nderi, emrin dhe uniformën e Policisë së Shtetit.