Vëllai i ish-shefit të Rrugores në Dibër me 6 shokët që u kapën me drogë nesër në gjykatë, prokuroria: Kemi prova të forta

20 Janar 2020, 15:15

TIRANE-Prokuroria kërkon arrest me burg për të shtatë të arrestuarit e operacionit "Tranzit" mes tyre edhe vëllai i ish-shefit të qarkullimit Dibër. Vendimi do të jepet nesër në orën 11:00.

Prokurori Robert Kote është shprehur se prova më e fortë janë përgjimet dhe procesverbali i lëndës narkotike prej 32.5 kg kanabis në formë çokollate. Pajtim Aga është vëllai i ish-shefit të qarkullimit në Dibër, Robert Aga, emri i të cilit doli pak kohë më parë në përgjimet e gazetës gjermane “BILD”.  Robert Aga u shkarkua nga detyra pas arrestimit të të vëllait. 

Pajtim Aga është pjesë e grupit me 7 të arrestuar që u godit. Ata merrnin lëndë narkotike të llojit “Cannabis sativa në formë çokollate” në Greqi dhe e sillnin në Shqipëri përmes pikë kufitare të Konispolit, nëpërmjet dy personave që jetonin në Gjirokastër.

Me pas lënda narkotike transportohej në qytetin e Tiranës, me qëllim për t'u nisur më vonë në një qytet në veri të vendit dhe për t'u trafikuar jashtë Shqipërisë. Gjatë operacionit u sekuestruan 32.5 kg lëndë narkotike canabisa sativa në formë çokollate, 6 aparate celulare dhe 2 automjete.