Vendimet e qeverisë për studentët, Meta: Mbështes çdo reflektim, duhet dialog dhe zgjidhje afatgjatë

27 Dhjetor 2018, 12:52 | Përditesimi i fundit: 2018-12-27 15:06:46

Presidenti i Republikës Ilir Meta ka folur nga Korça për vendimet e qeverisë për studentët (lexo këtu). Kreu i shtetit u shpreh se mbështet cdo reflektim të sinqertë, ndërsa shtoi se problemi zgjidhet me dialog dhe bashkëpunim konstruktiv. “Besoj se është shpërdoruar mjaft kohë dhe energji tepër e dobishme për t’i dhënë një zgjidhje të besueshme dhe afatgjatë problemeve të arsimit të lartë dhe studentëve në mënyrë të veçantë dhe do të mbështesja cdo reflektim të sinqertë, të thelluar dhe të qëndrueshëm dhe konstruktiv në këtë drejtim. Problemi zgjidhet vetëm në këtë mënyrë, përmes një dialogu të sinqertë, jo provokues, jo ndarës, jo intimidues dhe përmes një bashkëpunimi të besueshëm dhe konstruktiv”.

Gjithashtu, Meta komentoi edhe refuzimin e lejes së policisë së Tiranës për diasporën për të protestuar para Kryeministrisë në datat 28-30 dhjetor në intervale të ndryshme kohore. Meta tha se nuk e beson se policia ka refuzuar lejen. Megjithatë, shtoi ai, shqiptarët kanë protestuar edhe në diktaturë dhe nëse leja u është refuzuar atëherë i ftoi që ta zhvillojnë tubimin në oborrin e Presidencës. “Shqiptarët kanë protestuar edhe në diktaturë, pavarësisht nga kostot e tmerrshme që kanë paguar. Nuk besoj që një gjë e tillë mund të ketë ndodhur. Ja e zëmë se ka ndodhur...Janë të ftuar të gjithë emigrantët që të protestojnë në oborrin brenda Presidencës” tha ai.