Vendimi i Kolegjit/ 5 ‘njollat’ në pasuri që ‘dogjën’ Xhezair Zaganjorin

2 Nëntor 2019, 15:37

TIRANE- Përmes një vendimi prej 59 faqesh, Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka arsyetuar shkarkimin përfundimtar nga detyra të kryetarit të Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori. Ndryshe nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, organi bazë i Vetingut, që konfirmoi në detyrë ish-kryegjyqtarin, Kolegji i Apelimit (shkalla e dytë e Vetingut) ka konstatuar pesë probleme në pasurinë e Xhezair Zaganjorit, të mjaftueshme për ta shkarkuar nga detyra. Sipas shumicës së trupit gjykues, Zaganjori nuk ka arritur të provojë me të ardhura të ligjshme krijimin e katër pasurive të paluajtshme të ndodhura në Tiranë. Bëhet fjalë për një apartament banimi me sipërfaqe 200 m2 + 87 m2 ballkon, me vlerë 7.400.000 lekë, ku ka 50 % të pjesës, njësi shërbimi/bibliotekë, në të njëjtin pallat banimi, me sipërfaqe të përgjithshme 281 m2, në bashkëpronësi me bashkëshorten dhe 6 persona të tjerë, bodrum në të njëjtin pallat banimi, me sipërfaqe të përgjithshme 281 m2, në bashkëpronësi me bashkëshorten dhe 6 persona të tjerë si dhe zyrë në të njëjtin pallat banimi, me sipërfaqe të përgjithshme 57 m2, në bashkëpronësi me bashkëshorten dhe 6 persona të tjerë.

Gjithashtu, sipas Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, Zaganjori nuk provoi dot 16.000 USD për krijimin e një apartamenti në Durrës, nuk ka arritur të provojë me dokumentacion ligjor shlyerjen e detyrimeve tatimore për të ardhurat e deklaruara nga qiratë për periudhën 1999-2007, nuk ka deklaruar saktë shkollimin dhe jetesën e fëmijëve R. Z. dhe M. Z. Trupi gjykues ka konstatuar se Xhezair Zaganjori rezultoi me pamundësi financiare për të mbuluar me të ardhura të ligjshme shpenzimet dhe kursimet e deklaruara për vitin 2012 dhe 2014 në masën gjithsej për të dyja vitet në vlerën 2.932.554,52 lekë. Ndërkaq, trupa gjykuese e përbërë nga Albana Shtylla, Rezarta Schuetz, Luan Daci, Sokol Çomo dhe Natasha Mulaj, nuk ka qenë plotësisht e unifikuar sa i takon verifikimit dhe konkluzioneve për ligjshmërinë e pasurisë së Zaganjorit. Kryesuesja e turpit gjykues Albana Shtylla kishte një arsyetim të ndryshëm sa i takon argumenteve të trupit gjykues për mënyrën dhe momentin e fitimit të 4 pasurive të paluajtshme, të ndodhura në të njëjtin pallat në Tiranë. Megjithatë, zonja Shtylla thotë se është dakord me vendimin për shkarkimin e Zaganjorit.

    No videos found.