TIRANË- Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, organi bazë i Vetingut, në datën 10 qershor 2019, ka vendosur të shkarkojë nga detyra kryetaren e Gjykatës së Tiranës, Enkeledi Hajro, me argumentin se nuk ka kryer deklarim të saktë të pasurive, nuk ka arritur të shpjegojë bindshëm burimin e ligjshëm të pasurisë si dhe është përpjekur të fshehë dhe të paraqesë në mënyrë të pasaktë pasuritë në pronësi të saj. Në vendimin e zbardhur nga Shqiptarja.com, përpos të tjerave, kryegjyqtarja e Tiranës, deklaron një njësi tregtare me sipërfaqe 22 m², ndodhur në Shkodër, me vlerë 4,396 lekë, përfituar nga privatizimi. Në raportin që ILDKPKI ka referuar në Komisionin e Vetingut, Enkeledi Hajro e ka përfituar këtë pasuri, referuar vërtetimit hipotekor, në datën 9.5.1996, ndërsa në vitin 2006, ka bërë një shtesë me sipërfaqe 12.5 m2, për të cilën nuk është miratuar akoma legalizimi.
Çudia qëndron në faktin se kryetarja e Gjykatës së Tiranës, Enkeledi Hajro, në kohën kur ka përfituar pasurinë, nuk i kishte mbushur ende 18 vjeç, duke mos pasur zotësinë juridike për të vepruar. Gjithashtu, në atë moshë, Enkeledi Hajro nuk ka qenë në marrëdhënie pune për të krijuar të ardhura. “Blerja e pasurisë nga ana e subjektit është bërë në periudhën kur subjekti nuk kishte mbushur moshën për fitimin e zotësisë juridike për të vepruar sepse në kohën e blerjes së pasurisë nuk kishte mbushur moshën 18 vjeç, si dhe nuk kishte qenë në marrëdhënie pune për të krijuar të ardhura... Dukej se nga ana e subjektit ishte kryer ndërtim pa leje dhe më pas ishte aplikuar për legalizim të tij”, thuhet në vendimin e KPK.