Vendimi/ Motra e Rovena Gashit 15 vjet larg drejtësisë, Hajdarmataj para Vetingut

11 Tetor 2019, 20:44

TIRANË- Motra e Rovena Gashit, Ema Gashi, ish-gjyqtare pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, duhet të qëndrojë për 15 vjet larg drejtësisë. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka vendosur të ndërpresë procesin e Vetingut për znj. Ema Gashi, duke i hequr në të njëjtën kohë të drejtën për një periudhë 15-vjeçare emërimin si gjyqtare ose prokurore e çdo niveli, anëtare e Këshillit të Lartë Gjyqësor ose e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Inspektore e Lartë e Drejtësisë ose Prokurore e Përgjithshme. Vendimi është marrë pasi Ema Gashi dha dorëheqjen nga funksioni si gjyqtare.

Këshilli i Lartë Gjyqësor, mbështetur në ligjin e Vetingut si dhe në kërkesën e regjistruar për dorëheqje, ka vendosur të deklarojë mbarimin e statusit të magjistratit të Ema Gashi. Për këtë vendim, KLGJ ka njoftuar Komisionin e Pavarur i Kualifikimit në datën 4 shtator 2019. Në datën 10 tetor 2019, KLK vendosi të ndërpresë procesin e Vetingut për Ema Gashin. Ish-gjyqtarja Ema Gashi është motra e Rovena Gashit, ish-drejtuesja e Njësisë për Dekriminalizimin në Prokurorinë e Përgjithshme, e cilësuar edhe si krahu i djathtë i ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla, i përfshirë në ‘listën’ e zezë nga Departamenti Amerikan i Shtetit. Llalla dha dorëheqjen që në fillim të veprimit të ligjit të Vetingut, për t’i shpëtuar kontrollit, ndërsa Rovena Gashi u shkarkua disa javë më parë nga detyra përfundimisht nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit.

Rovena Gashi ishte shkarkuar më parë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, për probleme me pasurinë. Ndërkaq, gjatë procesit gjyqësor në Kolegjin e Apelimit, ajo kërkoi që të mbrohej nga motra e saj, Ema Gashi, e cila dha dorëheqjen nga drejtësia. Por, kjo kërkesë nuk u pranua nga trupa gjykuese pranë Kolegjit të Apelimit. Pas këtyre zhvillimeve në pozita të vështira është edhe bashkëshorti i Rovena Gashit dhe kunati i Ema Gashit, Dritan Gina me funksion prokuror. Ai ka deklaruar të njëjtën pasuri që ka deklaruar bashkëshortja e tij Rovena Gashi.

Në prill të këtij viti, Shqiptarja.com publikoi një raport të Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, në të cilin thuhet “Për bashkëshortin e Rovena Gashit, shtetasin Dritan Gina, me detyrë (në atë kohë) drejtues pranë PRGJ Elbasan (gjithashtu subjekt rivlerësimi), disponohen të dhëna për përfshirje në veprime të kundërligjshme, shfaqur në formën e shpërdorimit të detyrës, korrupsionit pasiv të prokurorit...”.

    No videos found.