Vendimi në 26 Korrik! Komisioneri: Të shkarkohet! Zaganjori: Kam sjellë prova për pasurinë

17 Korrik 2019, 16:59

TIRANE - Në datë 26 Korrik do të vendoset përfundimisht fati i kryetarit të Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori nëse do të konfirmohet edhe nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit apo do të shkarkohet për t'u përjashtuar nga sistemi i drejtësisë. Në seancën e sotme Komisioneri Publik, që ankimoi vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit paraqiti konkluzionet përfundimtare se përse sipas tij, Xhezair Zaganjori duhet të shkarkohet me argumentin se nuk justifikonte pasurinë, 1 miliard lekë. Ndërsa kreu i gjykatës së Lartë tha se paraqiti të gjithë dokumentet që i ishin kërkuar. Ai i cilësoi dokumentet që dorëzoi si prova të mjaftueshme që vërtetojnë ligjshmërinë e pasurisë së tij, por Komisioneri Publik kërkoi shkarkimin nga detyra.

"Gjatë gjithë këtij procesi jam përpjekur për të bërë më të mirën që të paraqes jo vetëm dokumentet, por t'u përgjigjem mbi 100 pyetjeve duke sjellë mbi 120 dokumente, ndihem shumë i qetë dhe duhet të presim që Kolegji ti marrë në shqyrtim pretendimet e mia dhe të komisionerit, një pjesë e të cilave janë pranuar nga komisioneri, por faktet dhe deklarimin tim për pasurinë do të presim datën 26 për të marrë përgjigjen. Unë mendoj që ato prova janë. Gjatë hetimit dhe gjykimit dokumentet që janë kërkuar nga Komisioneri dhe OMN apo KPK-ja unë jam përgjigjur, por disa prej tyre u citën si të përsëritura. Unë mendoj se duhet të merren parasysh, janë zyrtare dhe duhet të merren në konsideratë. Ai thotë mos merren, por vendos Kolegji.