Vendoset data/ Opozita do protestojë sërish 'me natë', Basha: Zgjedhjet pa ne janë farsë

22 Prill 2019, 15:05 | Përditesimi i fundit: 2019-04-22 15:06:24

Opozita e bashkuar do të protestojë sërish 'me natë'. Burime për Report TV bëjnë me dije për gazetarin Elis Memelli, se protesta e radhës e opozitës do të mbahet më 11 maj në orën 18:30. Vendimi është marrë në mbledhjen që kryedemokratit Basha që është zhvilluar prej më shumë se 60 minutash me kolegjin e kryetarëve në selinë blu. Në këtë mbledhje është vendosur përshkallëzimi i aksionin opozitar, që do të thotë përveç protestave kombëtare, nga kjo e enjte do të ketë edhe në rrethe.

Kryedemokrati Basha i ka qëndruar deklaratave të tij, se nuk do të ketë zgjedhje pa opozitën.

"Zgjedhjet pa opozitën janë farsë. Ne nuk do të lejojmë më që krimi të diktojë zgjedhje në Shqipëri. Zgjedhjet do të mbahen pasi të ndëshkohen hajdutët e votave të 2017. Me Edi Ramën dhe me Dakon e Gjiknurin në krah të tij nuk mund të ketë zgjedhje të lira as sot, as mot. Prandaj largimi i tij i hap rrugë zgjidhjes politike që kemi kërkuar ne, opozita e bashkuar dhe legjitime e Shqipërisë, për të hapur dialogun me qeverinë e re tranzitore për masat që duhen marrë për të krijuar kushtet për zgjedhjet. Vetëm zgjedhjet e lira do t’i kthejnë legjitimitetin institucioneve, në kushtet kur Gjykata Kushtetuese nuk ekziston prej një viti e gjysmë, Gjykata e Lartë nuk funksionon, Prokuroria e Përgjithshme është e paligjshme dhe kur Parlamenti ilegjitim është kthyer në vegël te krimit dhe oligarkisë, që po grabisin dhe shkatërrojnë vendin duke mbjellë mjerim dhe pasiguri kudo", tha Basha.

Kujtojmë se opozita e bashkuar deri tani ka zhvilluar 9 protesta, 3 prej tyre kombëtare dhe 6 të tjera më të vogla. Lulzim Basha është shprehur se nuk do të ketë dialog më kryeministrin Edi Rama nëse nuk do të ketë qeveri tranzitore e cila sipas tij do të mundësojë zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Prej më shumë se tre muajsh opozita ka vendosur të djegë mandatet, ndërkohë që vendet e tyre po shkojnë drejt plotësimit nga kandidatët e listave që kanë pranuar mandatet.

Deri më tani numri i deputetëve në Kuvend ka shkuar në 109, 30 prej të cilëve opozitarë dhe 79 nga mazhoranca.