'Veprime çnjerëzore, trajtim mizor dhe tortura'/ Aktakuza e plotë ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit!

6 Nëntor 2020, 15:48

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, kreu i Partisë Demokratike të Kosovës Kadri Veseli dhe  deputeti i Vetëvendosjes Rexhep Selimi dhe ish krye parlamentarit Jakup Krasniqi gjenden tashmë në Hagë dhe zyra e prokurorisë së dhomave të specializuara ka bërë publike aktakuzën.  Ata akuzohen për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte.

Në aktakuzën e ngritur pretendohet se nga marsi i vitit 1998 deri në shtator të 1999, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi dhe anëtar të tjerë të UÇK Kanë kryer krime të shumta ndaj kundërshtarëve.

“Ndërmarrjes së përbashkët kriminale kanë ndarë qëllimin e njëjtë për të marrë dhe ushtruar kontrollin në gjithë Kosovën me të gjitha mjetet, përfshirë edhe frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe eliminimin e atyre që i konsideronin kundërshtarë”.

Kundërshtarë  e tyre ishin ose perceptoheshin të gjithë personat të cilët sipas tyre ishin bashkëpunëtorë me ish-republikën e Jugosllavisë dhe kundërshtarët e tyre politikë, përfshirë personat e lidhur me Lidhjen demokratike të Kosovës, persona të etnisë serbe, rome dhe etnive tjera.

Sipas aktakuzës pretendohet se Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi ishin të vetëdijshëm se veprimet e tyre ishin të gabuara dhe e dinin se do të ndëshkoheshin megjithatë zgjodhën të ndërmarrin një veprim të tille sepse “kanë pasur synimin e njëjtë për kryerjen e të gjitha krimeve që janë në këtë aktakuzë, së bashku me anëtarë të tjerë të ndërmarrjes së përbashkët kriminale”.

Sipas aktakuzës së Dhomave të Specializuara, pjesëtarë të tjerë të cilët janë përfshirë dhe kanë ndihmuar në realizimin e krimeve janë  “Azem Syla, Lahi Brahimaj, Fatmir Limaj, Sylejman Selimi, Rrustem Mustafa, Shukri Buja, Latif Gashi dhe udhëheqës të tjerë politikë dhe ushtarakë të UÇK-së”.

Aktakuza pretendon se Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, përmes deklaratave dhe veprimeve publike në terren, përfshirë kërcënimin, poshtërimin vrasjen e kundërshtarëve politik u përpoqën të pozicionoheshin si zëri i vetëm i ligjshëm dhe përfaqësues i Kosovës.