Ditë tragjike në kanionin e Holtës në Gramsh. Një vajzë 25-vjeçe nga Lushnja u mbyt pasdite, ndërsa fatmirësisht arritën që të shpëtonin babai e vëllai i saj dhe katër fëmijë. Viktima është Desantila Sollaku. Ajo kishte shkuar për të kaluar fundjavën në kanionet e njohura dhe shumë të vizituara të Holtës së bashku me familjen, prindërit dhe vëllanë, që sapo ishte kthyer nga Gjermania.
Në momentin që ka nisur vërshimi i rrëmbyeshëm i ujërave nga malet, 25-vjeçarja ka qenë në kanion së bashku me të atin dhe vëllanë, por edhe 105 persona të tjerë, që kishin ardhur në grupe të ndryshme. E ndërsa pjesa më e madhe e turistëve arritën që të dilnin me shpejtësi, 7 prej tyre i mori rrjedha e fuqishme e ujit, mes të cilëve edhe 4 fëmijë, të cilët u shpëtuan. Luftën me dallgët dhe ujin e rrëmbyeshëm në kanion arritën që ta fitonin edhe i ati dhe vëllai i 25-vjeçes, Dritan dhe Denis Sollaku, ndërsa Desantila fatkeqësisht jo.
Report Tv solli pamje ekskluzive nga kanioni i Holtës kur rrjedhja mori përpara turistët dhe momentet e shpëtimit. Një turist tregoi për Report Tv se shpëtuan njëri tjetrin. Pas sinjalizimit në operacionin e kërkim-shpëtimit u përfshi edhe RENEA me polumbarët e saj.
Banorët e zonës u shprehën për Report Tv se një ngjarje e tillë ka ndodhur për herë të parë, ndërsa theksuan se Holta njihet si zonë me prurje të menjëhershme, aq më tepër verës. Edhe pse është një nga bukuritë natyrore dhe shumë të vizituara në këtë zonë mungon infrastruktura, por edhe informacioni për turistët sesi duhet të veprojë.