Vështirësitë e lënies së drogës dhe alkoolit/Mjeku: Kanë pasoja fizike, psikologike dhe sociale

23 Gusht 2019, 18:01

Droga dhe alkooli janë të përhapura në shoqëri ku një numër jo i  vogël personash janë konsumues dhe kanë krijuar varësi. Pasojat nga kjo varësi janë si fizike ashtu dhe psikologjike e sociale. Alkooli dhe droga, lënë jo pak pasoja në jetën e një personi, i cili është konsumues dhe ka krijuar varësi ndaj substancave.

Të rinjtë dhe jo vetëm nisin konsumimin e alkoolit dhe substancave narkotike, dhe pas njëfarë kohe nuk janë më në gjendje që ta kontrollojnë  këtë varësi. Krahas varësisë, vështirësia qëndron dhe në procesin e lënies së alkoolit apo drogës. Alert Drishti, Toksikolog, tregon për Report Tv, se konsumimi i tepërt i alkoolit dhe llojeve të drogës shkakton probleme në funksionimin e organeve të trupit.  “Organet e para që dëmtohen tek alkoolistët është mëlcia, sistemi nervor qëndror dhe ai periferik, e kështu me rradhë pastaj fillojnë dëmet e të gjithë organeve në organizëm, pra dëmet janë multiorganore. Përsa i përket përdorimit të drograve varet edhe nga rruga e marrjes. Në rastet e përdoruesve me shiringë, pra intravenë, dëmet e para vihen re tek arteriet e gjakut, mënyra se si ato e bëjnë, kushtet si e bëjnë, e bëjnë të mundshme që të marrin dhe infeksione të tjera, ndërsa inhalimi, problemet kryesore fillojnë në rrugët e sipërme të frymëmarrjes, duke qenë porta e parë e kontaktit me to”-u shpreh Drishti.