TIRANË - As takimi i tretë i Samitit të Shengenit Ballkanik nuk bëri dot në një tryezë të 6 shtetet e Ballkanit Perëndimor. Kosova dhe Bosnje Hercegovina refuzuan ftesën e kryeministrit Edi Rama, ndërsa pas Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut, Samitit iu bashkua për herë të parë në Tiranë, edhe Mali i Zi. Një tryezë pa kushte, siç u shprehën njëzëri kryeministri Rama dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, që i mirëpret të gjithë.
Presidenti i Serbisë tha se popujt tanë janë shumë të vegjël e për këtë na duhet bashkëpunimi ekonomik, teksa foli për një treg unik që do të vijë përmes njehsimit të sistemeve në Shqipëri, Maqedoni e Serbi për të thithur investitorët. Këto janë bashkëpunime tha Vuçiç që rezultatet e prekshme do t'i japin për 3 vite. Ai tha se duhen përdorur të gjithë mekanizmat për të mbajtur rininë në atdhe, me punësim e alternativa, ndërsa referuar refuzimit të Kosovës, tha se nuk pati asnjë kusht dhe të gjithë janë të mirëpritur. Edhe kryeministri Edi Rama e quajti të pakuptimtë vendimin e Kosovës, ndërsa tha se kjo po i çon në një rrugë qorre për interesa të politikës së brendshme.
"Kosova e ka hyrë në rrugë qorre. Po i bie vetes dhe po humb respekt, mbështetje reputacion", tha Rama.
Ai theksoi se ësht ëi vetmi që arriti të ulë Serbinë në një tryezë pa kushte. Shengeni Ballkanik tha Rama ka mbështetjen e plotë të SHBA-ve dhe vendeve më të rëndësishme të Bashkimit Evropian, ndërsa ulja në një tryezë nuk e ndryshon qasjen ndaj së shkuarës dhe qëndrimin se Serbia duhet ta njohë Kosovën. Rama përmendi edhe faktin që vetë ai e dënoi publikisht deklaratën e Vuçiç se masakra e Reçakut është trill, por se zgjidhjet vijnë vetëm përmes dialogut. Rama tha se më herët Kosova ka marrë pjesë në Samirit e Berlinit, CEFTA dhe në nisma të tjera rajonale në një tryezë me Serbinë, ndaj e sheh të pakuptimtë refuzimin e saj ndaj shengenit Ballkanik.
"Kanë ngrënë e kanë pirë në darka e dreka pune dhe kanë bërë shumë mirë. Kjo nuk do të thotë se kanë hequr dorë nga pavarësia. Kjo do të thotë që jetojnë në një botë të ndërlidhur. Kosova është pjellë e luftës me bomba e SHBA dhe të shumë vendeve të BE ndërkohë që BE dhe SHBA, ishin në tryezë Kosova mungon", tha Rama.
Në të njëjtën linjë ishte edhe presidenti i Serbisë.
"Si do t'i kthejmë këta njerëz, si do t'i mbajmë këtu? Duke krijuar një atmosferë konflikti dhe lufte sepse kjo na ndihmon politikisht? U zemërova me mikun tonë Edi se gjithë kohës duket si mbrohet? Pse të mbrohemi nga ata që duan të na çojnë mbrapa në shekullin e 16-17? Që duan të na shohin sërish të luftojmë me njëri-tjetrin? Jam i kënaqur që amerikanët dhe ndërkombëtarët këtu. Ç'të keqe ka që Serbia do të jetë në gjendje të ofrojë ndihmën e vet, që do të ofrojmë një shtëpi për të qenë për 100 familje shqiptare, do të ushqejmë shumë familje shqiptare, serbe, maqedonase duke krijuar vende pune, përse të kemi turp për këtë? Si do t'i tërheqim investitorët duke luftuar, duke vendosur taksa, pagesa të reja doganore?", tha Vuçiç.
Ndërkohë, presidenti i Malit të Zi tha se mini-shengeni ballkanik nuk ndryshon drejtimin strategjik për integrim në BE, madje ky samit e përshpejton procesin.
Takimi i radhës do të mbahet në Beograd, ndoshta në fund të janarit, ndërsa Presidenti i Malit të Zi kërkoi që pasardhësi të bëhet në Podgoricë.
Mëngjesin e sotëm Presidenti i Serbisë, i Malit të Zi, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, dhe kryeministri Edi Rama vizituan qytetin e Durrësit, ku panë nga afër dëmet e shkaktuara nga tërmeti i 26 nëntorit. Takimi në Tiranë vjen pas atij të Novi Sadit të Serbisë që ishte i pari dhe Ohrit në Maqedoni, por këtë herë risi është fakti që i është bashkuar edhe presidenti i Malit të Zi duke zgjeruar hartën e vendeve që duan të bëhen pjesë e kësaj nisme.