'Vetëm të shkallojmë të hidhemi nga kati i dytë!' Emigranti i karantinuar: Do vdesim nga uria

17 Prill 2020, 14:47

Lino Veizaj, i ardhur nga Greqia në një lidhje telefonike për Report Tv thotë se nuk ka më asnjë lekë për të blerë ushqime ndërsa tregon se as familja e tij nuk ka asnjë mundësi t'i sjellë lekë. Ai kërkon ta nxjerrin nga hoteli pasi nuk mund të përballojë më shpenzimet dhe ta çojnë të qëndrojë në shtëpinë e tij pranë familjes i vetëkarantinuar. Sipas tij, analizat i kanë dalë negative për COVID-19.

"S'kemi më as lek,ë asgjë. Edhe këtu që na bënin analizat na kanë dalë negativë, për çfarë na mbajnë këtu", thotë ai duke treguar edhe arsyen pse është kthyer në Shqipëri në kushtet kur kufijtë janë mbyllur.

"Ne kemi probleme familjarë, kemi grua, kemi fëmijë, kemi nënë mbrapa që duhet të kujdeset dikush", thotë Veizaj.

Lino Veizaj tregon për gazetaren Aida Tancica se si ishte rrugëtimi i tij deri në hotel dhe si është situata aktuale. Ai thotë se qëndrojnë 1 ose 2 veta në një dhomë ku paguajnë 20 mijë lekë të vjetra nata, dhe se ushqimin e porosisin në Fast-Food përmes një numri që i kanë lënë autoritetet.