Vettingu, konfirmohet në detyrë kreu i Gjykatës Administrative, Eriol Roshi

7 Shkurt 2019, 09:57

TIRANE-Kryetari i Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë, Eriol Roshi ka kaluar vettingun duke u rikonfirmuar në detyrë. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vlerësoi së Roshi nuk ka probleme, duke rezultuar i pastër në të tre shtyllat. Trupa gjykuese që shqyrtoi dosjen e kryegjyqtarit të Tiranës përbëhej nga Genta Tafa Bungo, Lulzim Hamitaj dhe Valbona Sanxhaktari. Në seancën e djeshme dëgjimore, trupa  deklaroi se nga verifikimi Eriol Roshi ka ardhura të zakonshme.

"Subjekti zotëron apartament me sipërfaqe 110 m, me vlerë 72 milionë lekë. Burimi një kredi bankare në proces shlyerje. Vlerësimi i pasurisë, deklarimi i saktë në përputhje me ligjin. Ka burime financiare, nuk ka kryer deklarim të rremë. Makinën tip 'Benz' e blerë në 2014 me vlerë 6 mijë euro me lekë të bashkëshortes. Për apartamentin 110 m2, nga analiza është parë që ka pasur të ardhura të mjaftueshme. Makinën tjetër në 2010 e ka blerë me kursime të tij dhe të babait. Në 2006 ka porositur ndërtim apartamenti tjetër, të ardhurat nga i ati, i cili ushtron një veprimtari shitje me pakicë.

Përsa i përket vlerësimit të figurës, ka arsyetim ligjor, proceset gjyqësore të tij janë të pastra. DSIK në përfundim ka konstatuar përshtatshmëri për vijim të punës. Ndaj tij ka pasur tre denoncime" konstatoi komisioni. Përfaqësuesi i ONM-së e pyeti Roshin për apartamentet 'Si është bërë transaksioni për blerjen e banesave?' Roshi u përgjigj 'Jo përmes bankës, kanë qenë në shtëpi. Ka qenë dëshirë e prindërve të më përfshinin në apartamentin e parë, por që unë nuk kam paguar" tha ai. 24 orë pas seancës dëgjimore, sot në orën 09:00, trupa vendosi që Roshi me një eksperiencë prej 14 vitesh gjyqtar të rikonfirmohet në detyrë.