Vettingu, KPK për Report Tv: Hipotekat vonuan përgjigjet për hetimet

9 Gusht 2018, 16:36

Punën e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit e kanë penguar ZVRPP-të. Të paktën kështu thuhet në përgjigjen që KPK-ja ka kthyer pas interesimit të gazetarit të Report Tv, Arsen Rusta.

Siç dihet, KPK-ja gjatë punës së saj ka kërkuar informacione në lidhje me subjektet e rivlerësimit, prokurorë apo gjyqtarë tek disa prej institucioneve kryesore në vend, si SHISH, OSHEE, banka apo drejtori të gjendjes civile. KPK-ja thotë se të gjitha institucionet kanë kthyer përgjigje, ndërsa rasti i Hipotekave veçohet vetëm për vonesat në dhënien e përgjigjes.

“Sqarojmë se asnjë institucion, të cilit KPK-ja i është drejtuar, nuk ka refuzuar të përgjigjet. Mund të ketë pasur vonesa në kthimin e përgjigjeve, në mënyrë të veçantë nga ZVRPP-të, por asnjëherë refuzim përgjigjeje”,- thuhet në reagimin e KPK.