Vetting-u në polici, Hodaj për Report Tv: Nis në gusht, kush ikën s’kthehet më

10 Korrik 2019, 15:27 | Përditesimi: 10 Korrik 2019, 16:00

Të gjithë oficerët e Policisë së Shtetit që do të largohen në sajë të Vettingut, nuk kanë asnjë mundësi për t’u rikthyer sërish brenda radhëve të uniformave blu. Në një intervistë për Report Tv, zv/ministri i Brendshëm Julian Hodaj shprehet se ky fakt parashikohet në ligjin për policinë, ndërkohë që 45 personat e parë që do t’i nënshtrohen procesit të Vettingut, pritet të nisin në fillim të muajit Gusht.

Ndryshe nga procesi i rivlerësimit në gjyqësor, Hodaj shpjegon se nëse një oficer ka integritet dhe justifikon pasurinë, por nuk ka profesionalizmin e duhur, atëherë nuk do të shkarkohet, por do të marrë trajnimin e duhur në Akademinë e Sigurisë.

Zv.ministri shton më tej se për 245 oficerët që kanë gradat më të larta, procesi i Vettingut parashikohet të përfundojë deri në Qershor të 2020-ës.

Procesit të Vettingut, për të tre komponentët, integritetin, pasurinë dhe profesionalizmin do t’i nënshtrohen rreth 11 mijë efektivë policie. I pari që do të dalë para komisionit është Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, e më pas vartësit e tij, si dhe punonjës së Gardës së Republikës e të Shërbimit për Çështjet e Brendshme e Ankesave.

r.k./Shqiptarja.com