Vettingu/ Shkalla e parë e konfirmoi, Kolegji shkarkon gjyqtarin Astrit Faqolli: Nuk justifikon pasurinë (Detajet)

18 Prill 2019, 18:02

Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka shkarkuar nga detyra gjyqtarin e gjykatës së Tiranës, Astrit Faqolli. Në korrik të vitit të kaluar, ai u konfirmua në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, por vendimi u apelua nga Komisioneri Publik për shkak të problemeve me pasurinë, ndërsa sot u shkarkua nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit.

Problemet që penalizuan Astrit Faqollin
Astrit Faqolli ka deklaruar se në 2011, ka shpenzuar  3 milionë lekë për ndërtimin e një objekti por sipas KPK kjo shumë nuk përputhet me atë të faturave. Gjithashtu Faqolli rezulton me hua të marrë nga shtetasi I.Rr. 1 milion lekë.

Gjyqtari deklaron një apartament 83.8 m2 te 'Ali Demi' në Tiranë por edhe për këtë ka mospërputhje me deklarimin e 2006. Në 2006 është shprehur se ka marrë hua tek kunati, hua të cilën nuk e ka deklaruar pasi e kishte shlyer tanimë.

Për dy huat e marra, sipas deklarimeve rezulton se gjyqtari nuk ka pasur mundësi t’i këtë shlyer. Në pasurinë e tij, Faqolli numëron edhe një makinë tip Benz, vlera e të cilit i kap 5 mijë eurot, por blerja e mjetit justifikohet nga KPK.

Gjithashtu, sipas KPK-së, Faqolli nuk deklaroi dy llogarive të bashkëshortes, raporti i DSIK ishte një tjetër pikë ku u cënua, pasi theksohej se ai është i papërshtatshëm për të qenë gjyqtar dhe plotësimi i deklaratës ishte bërë duke përdorur lekë të vjetra, çka është e ndaluar në një dokument zyrtar. Por, pavarësisht këtyre problemeve që u konstatuan, KPK-ja e kaloi vitin e kaluar, ndërsa sot u shkarkua nga Kolegji përfundimisht.