TIRANE-Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka shkarkuar nga detyra gjyqtarin Besnik Muçi, që Presidenti Ilir Meta e dekretoi për në Gjykatën Kushtetuese. Kolegji vendosi sot që të rrëzonte vendimin e parë të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, që e nxori të pastër duke e shkarkuar përfundimisht dhe larguar nga sistemi pasi nuk justifikon pasurinë.
"Besnik Muçi ka deklarim të pamjaftueshëm për apartamentin 57 m2 dhe kredive te marra tek te afërmit, babai, xhaxhai, vëllai dhe motra. Është në kushtet e deklarimit të pamjaftueshëm të pasurisë. Nuk deklaroi saktësisht edhe pasurinë tokë bujqësore në Pogradec.Provat e administruara konsiderohen se janë të mjaftueshme, prandaj Besnik Muçi nuk mund të gëzojë besimin e publikut për të qëndruar në detyrë. Muçi ka cenuar besimin e publikut dhe për pasojë vendimi i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit duhet ndryshuar. Për këtë arsye, trupi gjykues vendosi ndryshimin e vendimit dhe shkarkimin nga detyra të Besnik Muçit" deklaroi Kolegji i Posaçëm i Apelimit. Por Besnik Muçi deklaroi se nuk e njeh vendimin e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit dhe se do të rikthehet në zyrën e Gjykatës Kushtetuese.
Besnik Muçi u konfirmua më herët në shkallën e parë të vettingut e më pas u dekretua nga presidenti Ilir Meta, gjyqtar kushtetues, por pa i larë hesapet me drejtësinë, pasi Komisioneri Publik e ankimoi dhe sot Kolegji i Posaçëm e shkarkoi. Tashmë Gjykata Kushtetuese futet në një tjetër ngërç, pasi mbetet me katër anëtarë, ndërsa për të funksionuar duhen gjashtë.