Vezët perandorake të Fabergé, magjia që vjen që prej revolucionit bolshevik

25 Dhjetor 2018, 10:45

Ato janë disa prej objekteve më elegante të krijuara ndonjëherë nga dora e njeriut. Edhe pse kanë kaluar 100 vite, këto thesare të vogla vazhdojnë të magjepsin me bukurinë dhe historinë tragjike që fshihet pas tyre.

Për më shumë se një shekull, emri Fabergé është lidhur me pasurinë dhe me vezët më të mrekullueshme të Pashkëve në botë.

Vezët perandorake, siç edhe njihen, u projektuan fillimisht si dhurata në mes të viteve 1880. Ato u punuan me dorë dhe janë të dekoruara me ar, diamantë dhe gurë të çmuar, si smerald dhe perla. 

Cdo vezë Fabergé është 8 cm e lartë dhe për prodhimin e secilës prej tyre janë dashur 2 vite kohë. Shpesh, ato mund të hapen për të zbuluar një surprizë: një portret në miniaturë, një orë apo diçka tjetër. 

Vezët Perandorake dikur cilësoheshin si objekte magjike, gjë që shpjegon se përse njerëzit janë ende aq të magjepsur me to. Njeriu gjithmonë kanë pasur etje për gjëra të bukura dhe vezët e Fabergé e shuajnë këtë etje në mënyrë të përkryer.