VËZHGIMI i Report Tv/ Të rinjtë injorojnë të gjitha masat anti-COVID! Lokalet dhe restorantet plot!

18 Janar 2021, 22:32

TIRANË- Pavarësisht shifrave në rritje dhe paralajmërimeve të vazhdueshme nga Komiteti Teknik i Ekspertëve ndaj të rinjve, duket se këta të fundit vijojnë të jenë të pabindur përball masave anti-COVID. Për të vërtetuar këtë fakt mjafton të hedhësh një sy në baret e kafet e kryeqytetit.

E njëjtë mbetet situata dhe në transportin publik. Urbanët janë të mbushur plot, ndërsa në stacionet e autobusëve qytetarët grumbullohet në pritje të mjetit të radhës.

Incidenca ose e thënë ndryshe numri i të infektuarve për 100 mijë banorë në dy javët e fundit në vendin tonë është rritur duke shkuar në 260 raste për 100 mijë banorë.

Rritja është përkthyer dhe në shtrimet në spitalet COVID, por sipas ekspertëve konsiderohet një rritje e qëndrueshme. Edhe numri i bashkive ku ka të infektuar me koronavirus, nga 44 ka shkuar në 50 bashki të prekura.

Bazuar në këtë situatë epidemiologjike, Komiteti Teknik i Ekspertëve vendosi që mos të kemi lehtësim masash po të mbeten në fuqi kufizimet pas orës 22:00 dhe Universitetet të vijojnë online.