VIDEO e rrallë/ Minutat e fundit të Slobodan Milosheviç, pak para ekstradimit të tij nga Tuzla në Hagë

24 Gusht 2019, 20:36

Gazetari serb Stefan Cvetkoviq, ka postuar në profilin e tij në Facebook një video në të cilën shfaqet ish-presidenti i Republikës Federale të Jugosllavisë Slobodan Milosheviç, përpara transferimit nga Tuzla (Bosnjë dhe Hercegovinë) në Hagë, në vitin 2001.

Sipas mediave serbe pamjet tregojnë se si Millosheviç po futet në një dhomë, në një bazë ushtarake amerikane në kampin “Eagle” në Bosnje dhe Hercegovinë, i shoqëruar nga një person me uniformë ushtarake.

Në një moment, ai ngrihet dhe qëndron me oficerin përballë një personi të panjohur, pastaj ulet për pak kohë dhe vazhdon të ecë nëpër dhomë.

Millosheviç shfaqet në VIDEO duke biseduar me njerëzit që janë me të në dhomë, dhe në një moment ai merr një cigare.

Millosheviçi i lindur në vitin 1941 përcaktoi fatet e Serbisë nga viti 1986 deri në vitin 2000. Fillimisht si politikan komunist, më pas socialist e nacionalist ai synoi që të krijonte Serbinë e Madhe me mjete luftarake. Presidenti i parë i Serbisë dhe Jugosllavisë bëhet përgjegjës për luftërat në Kroaci, Bosnje dhe Kosovë në vitet 1991-1999. Pasoja ishte shkatërrimi i Jugosllavisë.

Millosheviç u dërgua në Hagë, një vit pas kryengritjes popullore në Serbi, por ai vdiq nga infarkti në një qeli të Hagës në vitin 2006 pa u bërë gjykimi.