Një kamion ka dalë nga rruga në aksin Elbasan-Peqin dhe ka përfunduar në oborrin e një banese, duke dëmtuar murin rrethues. Report Tv sjell video ekskluzive të momentit kur kamioni del nga rruga, futet në kasollen e bagëtive dhe përfundon në oborrin e banesës.
Nga ana e saj, policia sqaron se mjeti ka dëmtuar kasollen e bagëtive, ku ka shtypur një lopë dhe disa shpendë, ndërsa shoferi ka qenë i dehur. Policia ka arrestuar shoferin e mjetit, 53-vjeçarin B. S., i cili nuk i është bindur punonjësit të policisë për të bërë testin e alkoolit, ndërsa ishte dhe pa patentë.
Njoftimi i policisë:
Nga Specialistët e Qarkullimit Rrugor në Komisariatin e Policisë Elbasan, u arrestua në flagrancë shtetasi: B.S., 53 vjeç, banues në Durrës.
Në aksin rrugor Elbasan-Peqin, në fshatin Papër, Elbasan, shtetasi i lartpërmendur duke drejtuar mjetin tip "trajleri" ka dalë nga rruga, dhe nuk i është bindur punonjësit të policisë për të bërë testin e alkoolit.
Si pasojë, ka dëmtuar kasollen e bagëtive ku ka shtypur një lopë dhe disa shpendë, në pronësi të shtetasit T.S., 43 vjeç, banues në fshatin Papër, Elbasan.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, për veprat penale, "Drejtimi i automjeteve në gjendje të dehur apo pa dëshmi", dhe "Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik", të parashikuar nga nenet 291, 242 , të Kodit Penal.
