Video-mesazhi i Albin Kurtit: Qasja e LDK-së 'merre ose lëre' do të thotë 'lëre'

20 Janar, 10:20

Albin Kurti ka sqaruar nëpërmjet një video se Lëvizja 'Vetëvendosje' ka dorëzuar letrën për vendimin e mandatarit për formimin e Qeverisë së Kosovës pa arritur një marrëveshje me Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Ai tha se deri sot nuk është dorëzuar ky vendim tek presidenti për shkak se e kanë pritur LDK-në që të arrijnë një marrëveshje për bashkëqeverisje.

“Në mbledhjen konstituive të Kuvendit me 26 dhjetor shkova pa pasur një marrëveshje, edhe te Presidenti me 6 janar shkova pa marrëveshje paraprake, dhe, tani, dy javë pas atij takimi katër minutësh, ende nuk kemi marrëveshje për qeverinë e re”, ka thënë Kurti në videon e publikuar pas vendimit që e ka dërguar në presidencë.

Nëpërmjet kësaj video ai edhe njëherë i ka bërë ftesë LDK-së që të merren vesh pavarësisht se ishte VV e fundit që i refuzoi propozimet e partisë së Isa Mustafës.

'Ne nuk e kemi pranuar propozimin e fundit të drejtuesve të LDK-së por jemi treguar shumë të gatshëm për takime të mëtejme me synim gjetjen e alternativave tjera që do ishin të pranueshme për të dy palët. E theksoj përsëri: Nuk mund të kthehemi në të kaluarën, nuk mund të kthehemi në vitin 2019. Ata s’e kanë pranuar propozimin tonë të fundit, ndonëse, ndryshe nga dakordimi, nuk e trajtuan fare në Këshillin e tyre të Përgjithshëm. Qëndrimi se takohemi vetëm për ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes, pra, qasja “Merre ose lëre”, do të thotë 'lëre'. Unë besoj se ne mund të kthehemi dhe e kemi detyrim ndaj të gjithë jush që të kthehemi në tavolinën e bisedimeve, për të mos dalë nga ajo deri në gjetjen e një gjuhe të përbashkët dhe arritjen e marrëveshjes sonë' - tha Kurti në video mesazh.

Kategori të tjera