Serbi/ Një tjetër natë rebelimi dhe dhune në Beograd!

9 Korrik 2020, 09:43 | Përditesimi i fundit: 2020-07-09 15:13:34

Beogradi ka përjetuar një tjetër natë rebelimi, teksa të tjera përleshje kanë ndodhur mes policisë dhe rreth 5000 demonstruesve përpara parlamentit dhe rrugëve të kryeqytetit serb.

Dhunë është shfaqur edhe në tubimet e organizuara në Novi Sad, ku protestuesit kanë dëmtuar ndërtesën e Bashkisë në qendër të qytetit dhe tentuan të pushtojnë ndërtesën e Radio Televizionit të Vojvodinës

Përplasjet e fundit janë nxitur nga zemërimi popullor kundër kufizimeve të reja anti-Covid-19 të njoftuara të martën nga Presidenti Aleksandër Vuçiç, për shkak të rritjes së numrit të viktimave dhe infeksioneve të reja.

Masat e reja të izolimit përfshijnë ndalimin e tubimeve, mbylljen e bareve dhe restoranteve prej orës 23:00 deri në orën 06:00, një lloj shtetrrethimi që do të zgjasë deri të hënën më datën 13 korrik.

Dje Presidenti Vuçiç u shpreh se qëllimi i vërtetë i protestave, të cilat sipas tij janë të organizuara nga opozita, është dobësimi i pozicionit të Serbisë para rifillimit të bisedimeve me Kosovën zyrtare në Paris dhe Bruksel me ndërmjetësimin e Presidentit Macron, kancelares Merkel dhe shefit të politikës së jashtme të BE-së, Joseph Borell

Kryeministrja Ana Brnabic ka deklaruar se shteti do të mbrojë ligjshmërinë, edhe pse duket se protestat do të vazhdojnë duke mos respektuar ndalimin e grumbullimeve