Vijon 'lufta' ndaj qeverisë, Meta kthen ligjin për gjyqtarët e prokurorët ‘KÇK’

5 Mars 2020, 07:44

TIRANË- Presidenti Ilir Meta nuk ka dekretuar ligjin për gjyqtarët dhe prokurorët 'KÇK' (Kap ça të kapësh', duke i kërkuar Kuvendit që të reflektojnë për të mos u bërë shkelës serial të Kushtetutës së vendit.

Sipas kreut të shtetit ndryshimet e bëra nga mazhoranca, për betimin dhe kompetencave të shtuara të ILD-së së cilës i jepet e drejta për hetimin e pasurisë/ figurës dhe në rast nevoje pezullimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, synojnë që të ushtrojnë presion ndaj tyre. E gjitha kjo, shton Meta, është e mirëmenduar me qëllimin e qartë të devijimit të Kushtetutës, për sa kohë nuk ka Gjykatë Kushtetuese funksionale.

Ky fakt, tregon qartë tashmë se shqetësimi i deputetëve nismëtarë dhe atyre votues të këtij ligji, nuk ka qenë adresimi i problematikave që kanë lindur nga zbatimi i ligjit, si justifikim i vetëm që mund të përdoret për rishikimin e një ligji të ndryshuar jo më vonë se 6 muaj më parë, por vënia nën trysni e çdo gjyqtari apo prokurori, përmes kompetencave që i jepen ILD-së, jashtë rolit dhe funksionit të tij, sipas Kushtetutës dhe ligjit", thuhet në arsyetimin e Metës.

Çfarë parashikon ligji i miratuar në Kuvend? Inspektorati i Lartë i Drejtësisë ka të drejtë të ndërhyjë kur për një gjyqtar ose prokuror ka akuza të besueshme. Kreu i ILD i drejtohet KLGJ dhe KLP të cilët brenda 3 ditëve duhet të japin vlerësimin e tyre. Kjo do të thotë se prokurorët dhe gjyqtarët janë në dorë të kreut të ILD-së. Në rast indicie apo denoncimi, kreu i ILD-së mund të hetojë gjyqtarët apo prokurorët dhe pasi krijon bindjen se ka shkelje brenda tre ditëve i drejtohet KLGJ-së apo KLP-së për fillimin e një procedimi disiplinor apo pezullim nga detyra. Sipas Metës, këto kompetenca që mazhoranca i jep ILD-së me ndryshimet e bëra, bien ndesh me punën e Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë.

    No videos found.