Vijon ndërtimi i brezit të gjelbër, 12 mijë pemë nga Bankers, projekti që nga viti 2019 përmirëson mjedisin në Patos-Marinzë

30 Mars 2021, 14:15

Një projekt ambicioz, i cili synon që në të ardhmen i gjithë vendburimi të rrethohet nga një brez i gjelbër, po implementohet në zonën naftëmbajtëse të Patos-Marinzës. Prej gushtit të vitit 2019 vijon mbjellja e bimëve të ndryshme me qëllim përmirësimin e mjedisit.

Ky projekt i mbështetur nga kompania Bankers Petroleum Albania, është iniciuar nga Shoqata Ambientaliste “Zharrëza” dhe deri tani është bërë e mundur mbjellja e 12 mijë bimëve dhe pemëve të ndryshme në 7 fshatra në zonën e Patos-Marinzës, Jagodinë, Marinzë, Belinë, Sheqishtë, Frashër, Zharrëz dhe Fshati i Ri.

Drejtori i Shoqatës 'Zharrëza', Qani Rredhi, tregon detajet e projektit dhe përfitimet që vijnë për komunitetin. Ai thotë se impakti është shumë pozitiv pasi minimizon pluhurin që kryesisht krijohet nga lëvizja e autoboteve të naftës por edhe automjeteve private.

“Ky projekt është kërkuar nga organizata jonë mjedisore, pranë kompanisë Bankers Petrolium në kohën kur CAO, një organizatë ndërkombëtare ishte negociatore mes komunitetit dhe kompanisë. Është kërkuar në vitin 2018 dhe ka nisur zbatimin në gusht 2019 për t’u përmbyllur në gusht 2021.

Në total kemi mbjellë Oleandër, një bimë specifike për çlirimin e gazrave, një bimë vegjetative 12 muajt e vitit, kemi mbjellë 8 mijë rrënjë. Gjithashtu kemi mbjellë edhe 4 mijë rrënjë bimë autoktone. Do të vazhdojmë deri në fund të mbylljes së sezonit. Impakti i këtyre brezave të gjelbër është se minimizojnë ndotjen edhe të arave dhe parcelave nga pluhuri pasi lëvizin shumë makina që bëjnë transportin e naftës. Bima bllokon pluhurat dhe në gaz ka ndikim", thotë Rredhi.

Sipas tij projekti po zhvillohet në bashkëpunim edhe me banorët e zonës si dhe me pushtetin vendor të cilët janë edhe përfitues direkt të përmirësimit të ajrit

"Ne kemi bashkëpunuar edhe me banorët e zonës. Rrallë ka ndodhur ndonjë dëmtim. Kemi gjetur gjuhën edhe me pushtetin vendor. Projekte të tilla duhet të vijojnë edhe në të ardhmen pasi kjo ka direkt ndikim në shëndet”, thotë ndër të tjera Qani Rredhi, drejtor i Shoqatës 'Zharrëza'.