Vijon vaksinimi masiv, sot policët marrin dozën e dytë! Manastirliu: Këtë javë vijnë mbi 11 mijë vaksina Pfizer

3 Maj 2021, 16:25

Këtë javë në vendin tonë mbërrijnë mbi 11 mijë vaksina nga Pfizer dhe mekanizmit të BE, ndërsa në maj do të mbërrijë edhe 99 mijë vaksina të tjera nga Pfizer, COVAX dhe BE. Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, gjatë inspektimit të marrjes së dozës së dytë të vaksinës për qytetarët në sheshin ‘Skëndërbej” tha se vendi po ecën me ritme të shpejta të vaksinimit duke bërë që drita në fund të tunelit të shihet edhe më shpejt nga sa ishte menduar. Arritja e objektit për vaksinimin e gjysmë milionë shqiptarëve para afatit të përcaktuar ka shtuar edhe më shumë shpresat se objektivi i ri është kryerja e 1 milionë vaksinave.

“Janë mbi 736 mijë doza vaksine tashmë të mbërritura në vend. Ndërkohë që presim përgjatë kësaj jave 11,700 doza vaksine, të cilat vijnë nga kontrata që ne kemi me Pfizer si dhe një pjesë e tyre, nga kontrata që kemi lidhur me Bashkimin Europian, si pjesë e instrumentit që Bashkimi Europian ka ndërtuar për mbështetjen për vendet e Ballkanit”, tha Manastirliu.

Ndërsa ka ndjekur procesin e vaksinimit me dozat e dyta për të moshuarit në sheshin ‘Skëndebej’, Manastirliu bëri me dje se përgjatë muajit maj priten të mbërrijnë 99 mijë doza vaksinash nga kontratat e lidhura.

“Përgjatë muajit maj ne presim rreth 99 mijë vaksina të tjera nga kontratat që kemi lidhur me instrumentin Covax, me Pfizer dhe gjithashtu me instrumentin e krijuar tashmë nga Bashkimi Europian”, tha Manastirliu.

Ministrja e Shëndetësisë theksoi se Shqipëria arriti kryerjen e 500 mijë vaksinimeve para afatit të vendosur, ndërkohë që bëri me dije objektivin e ri.

“Janë mbi 500 mijë vaksinime të kryera rreth 29 ditë përpara afatit që ne kishim premtuar, pikërisht objektivin tonë për kryerjen e 500 mijë vaksinimeve. Ne tashmë jemi drejt 1 milion vaksinimeve. Shqipëria është ndër vendet që ka një ritëm të lartë të vaksinimeve. Kjo për arsye të ecjes me shpejtësi, të lidhjes së kontratave dhe gjithashtu edhe lëvrimit të dozave të vaksinave në një kohë shumë të shpejtë”, tha Manastirliu.

Prej fillimit të vaksinimit janë kryer në total 504,386 doza të vaksinës anticovid, prej të cilave 403,066 vaksinime janë kryer për personat mbi 60 vjeç.