Vinte nga Italia, sekuestrohen 8 mijë litra verë kontrabandë në Durrës

27 Dhjetor 2018, 13:32

DURRES-Tentuan të fusnin 8 mijë litra verë kontrabandë nga Italia në Shqipëri, hetimi doganor arreston në flagrancë dy persona dhe sekuestron verën. Report Tv siguron pamjet e kamionit ku ishte ngarkuar vera me destinacion tregun e Tiranës dhe Durrësit kryesisht restorantet luksoze, ndërsa në pranga kanë rënë Armand Mimani shofer i kamionit në të cilin ishte fshehur vera dhe Çlirim Bregu nga Tirana me arsim të mesëm i dënuar edhe më parë për kontrabandë, administrator i kompanisë e cila kishte në pronësi kamionin.

Sipas doganës dhe uniformave blu këta persona janë prangosur për veprën penale: “Kontrabanda me mallra për të cilat paguhet akcizë ose me pezullim të plotë apo të pjesshëm nga detyrimet doganore ose të akcizës”. Vera ishte e ambalazhuara në shishe ndërsa Bregu rezulton se është njëherazi edhe administrator i “Uni Trans” kompanisë që është gjobitur edhe me një penalitet prej 3.261 mijë lekë nga hetimi doganorë në Durrës.