Virozat e stinës, dyndje qytetarësh në spitale për vaksinat anti-grip

4 Dhjetor 2018, 17:35 | Përditesimi i fundit: 2018-12-04 19:13:12

Një nga grupet më të riskuara nga mungesa e vaksinës janë të moshuarit, por ata shprehen se nuk kanë arritur të vaksinohen, e për më tepër në disa raste ka mungesë informacioni se mund të përfitohet edhe falas.

Nga ana tjetër mjekja infeksioniste Alma Hoxhaj shprehet për "Report TV" se vaksina duhet të bëhej muaj më parë, për të parandaluar sëmundjet. Edhe farmacistët në kryeqytet ankohen për mungesën e theksuar të vaksinës anti-grip, duke qënë se dhe fluksi i të prekurve nga kjo virozë është në rritje. Edhe në ato pak farmaci që u kanë mbetur disa vaksina nga furnizimi i fundit, theksojnë se kanë nevojë urgjente për furnizim.

Në lidhje me këtë problematikë, Report Tv ka kontaktuar edhe me Ministrinë e Shëndetësisë. Zyra e shtypit pranë Ministrisë pohoi për Report TV se sot nuk kanë një qëndrim për situatën ndërsa në ditët në vijim pritet që të furnizohen të gjitha depot e farmacive me vaksinën antigrip.