Vithkuqi është një ndër fshatrat më atraktivë në juglindje të vendit i ndodhur 27 km larg qytetit të Korçës.
Gjatë gjithë rrugës për në këtë fshat të shoqëron një panoramë fantastike e natyrës, në mbërritje të Vithkuqit kupton se çfarë perle e natyrës është kjo zonë.
Peisazhi fantastik në relievin malor, pemët e larta, klima e pastër alpine, tradita, mikpritja, kulinaria dhe objeket e lashta plot histori janë disa nga arsyet që e listojnë këtë fshat ndër më atraktivët e Juglindjes.
Por edhe pse një fshat me potencial, sot VIthkuqi shihet i zbrazët.
Një fshat turistik por pa turistë, një fshat i bukur por i papromovuar dhe i lënë në harresë.
Vendasit e duan fshatin e tyre, janë përpjekur të hapin shtëpi pritëse për turistet rastësore të cilët kryesisht janë të huaj.
Disa banorë kanë dhënë mendimin e tyre për vendin se ku jetojnë.
"Vithkuqi një fshat malor dhe i bekuar, turistët vijnë dhe ikin sepse nuk ka investime. Unë bëj thirrje që të bëhen investime sepse është një fshat i bekur", tha një banore.
Gjithashtu një tjetër banor theksoi mungesën e investimit të shtëpisë së autorit të Abetares së parë, Naum Veqilharxhi.
"Në radhë të parë, Vithkuqi ka një histori të vjetër, Naum Veqilharxhi që ka bërë dhe abetaren e parë shqipe dhe në shtëpinë e tij nuk ndodhet asnjë pllakë guri që të shkruhet që aty ka jetuar Naum Veqilharxhi", tha një tjetër banor.
"Kanë ardhur turistë francez dhe gjerman, i kam hapur shtëpinë që të flenë. Kam shitur dhe qilime", tha një tjetër banore.
Por pavarësisht dëshirës së banorëve për të zhvilluar turizmin duket se kjo është e pamundur për aq kohë sa do të mungojnë investimet.
Mungesa e ujit, mungesa e promovimit të këtij fshati dhe te tjera probleme sipas banorëve janë disa nga arsyet qe po pengojnë turizmin në fshatin e bekuar, por të harruar.
Sipas tyre nuk është investuar në hotele dhe restorante si në Voskopojë dhe Dardhë dhe se bashkia duhet të ndërhyjë e të bëjë rikonstruksionin e kalldrëmit.
"Po si të zhvillohet turizmi këtu, kur nuk ka ujë të pijshëm?", u shpreh banori.
Vithkuqi me bukuritë që i ka falur nëna natyrë ka nevojë për më shumë investime që të kthehet në destinacion të turistëve vendas dhe të huaj.