Tiranës i shtohet një tjetër xhevahir i dijes. Pas shkollës “Kosova”vitin e shkuar, sot ka hapur dyer për nxënësit shkolla “Servete Maçi”, e cila vjen krejtësisht të re, me kushte shumë të mira, por edhe me arkitekturën më të veçantë, çka e bën atë një nga shkollat më të mira në gjithë vendin. Në hapjen e kësaj shkolle mori pjesë kryeministri Edi Rama si dhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, të cilët i uruan nxënësve një vit të mbarë dhe plotë suksese, ndërsa panë nga afër edhe kushtet që ofron institucioni më i ri arsimor në Tiranë.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj shprehu urimet e tija për nxënësit që ulen sot në bankat e shkollës, ndërsa falenderoi prindërit që këmbëngulën dhe fituan betejën që në rrënojat e shkollës së vjetër të mos ngriheshin pallate dhe të bënin të mundur ngritjen e shkollës më të bukur në vend.
“Mund të themi me plot gojën që ta gëzojmë shkollën e re “Servete Maçi” dhe një bravo, ju lumtë të gjithëve. Meritën më të madhe e kanë prindërit, ata që një mandat përpara skuadrës time, midis skuadrës time dhe skuadrës së Edit në fakt, luftuan që kjo dhe shkolla Kosova të mos ktheheshin në terrene pallatesh. Është shumë kollaj të ngresh duart lart dhe të thuash kjo është e rrënuar, çfarë na duhet. Por do shumë më shumë guxim të thuash se nga rrënojat mund të lindë diçka e re dhe e bukur”, u shpreh kryetari i Bashkisë së Tiranës”, tha kryetari i Bashkisë së Tiranës.
Veliaj theksoi se Bashkia e Tiranës ka bërë të mundur që çdo fillim të vitit të ri arsimor të hap një shkollë të re, ndërsa tha se viti i ardhshëm do jetë akoma më i veçantë pasi do të hapin dyer për nxënësit 17 shkollat e reja.