Viti i riu shkollor/ Kukësi mësim me 2 turne, Gjici: Duam fonde

28 Gusht 2020, 09:42

Në kushtet e pandemisë kur kërkohet alkool dhe maska, shkollat e Kukësit nuk kanë as ujë në çezma.

Ky vit shkollor e gjen në vështirësi financiare Bashkinë e Kukësit, pasi disa institucione arsimore janë të amortizuara. Nga ana tjetër, gjithë qyteti i Kukësit po përballet me mungesën e ujit, dhe këtu nuk bëjnë përjashim as shkollat e kopshtet.

Kryetari i Bashkisë Safet Gjici përmes mediave apeloi qeverinë për fonde shtesë.

"Fondet janë të pakëta. taksat në kukës janë të ulta disa biznese janë në vështirësi, qeveria do të ishte mirë të na furnizonte me fonde posaçërisht për shkollat,"- tha Safet Gjici, Kryetar i Bashkisë Kukës 

Më tej Gjici theksoi se është ngritur një grup pune që po konstaton në terren të gjitha problematikat.

"Fonde nuk kemi shumë. Buxheti është llogaritur për situatë të zakonshme, por me sforco do të nisin vitin shkollor. Sa i përket mungesës së ujit, do të furnizojmë me bote shkollat ku ka mungesa me ujë të rrejedhshëm".

Ndërsa përgjegjësi i zyrës arsimore në Kukës deklaroi se në shkollat e qytetit mësimi do zhvillohet me dy turne.

"Shkollat në fshatra do të bëjnë mësim me një turn ndërsa shkollat e qytetit të Kukësit me dy turne", tha Skënder Ahmeti, Drejtor i Zyrës Arsimore Vendore Kukes

Edhe Ahmeti e vë theksin tek mungesa e ujit në shkollat e qytetit dhe fshatrave.

"Shpresojmë të kemi zgjidhje të pranueshme se duhet të pranojmë realitetin ku jemi në Kukës", u shpreh ai.

Bashkia e Kukësit ka rreth 78 objekte te arsimit parauniversitar në territorin e saj, ku një pjesë e konsiderueshme e këtyre objekteve janë në një shkalle amortizimi të lartë që kërkojnë investime të mëdha.