Vizita e Ramës në Athinë më 15-16 shtator, kryeministri grek: Pas forumit do flasim edhe për detin

13 Shtator 2020, 22:52

Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis ka folur për takimin që do të zhvillojë me kryeministrin Rama në Athinë, ku do të mbahet forumi "The Economist” që do të mbahet në datat 15-16 shtator. Takimi i kryeministrit Edi Rama do të zhvillohet në cilësinë e kryetarit të OSBE, në fokus të të cilave do të jenë sfidat e rajonit dhe integrimit europian. Por Mitsotakis tha se gjatë takimit me Ramën, pas forumit, do të diskutojë edhe për marrëveshjen e detit mes dy vendeve dhe për Zonën Ekskluzive Ekonomike.

"Unë do të takoj  z. Rama në konferencën e "The Economist”. Sigurisht që unë do të flas me z. Rama për të diskutuar edhe për shpalljen e një ZEE me Shqipërinë", tha Mitsotakis në një konferencë për shtyp në Panairin Ndërkombëtar të Selanikut

Deklarata e Greqisë për zgjerimin me 12 milje në detin Jon solli akuza të forta të opozitës në vend, duke thënë se qeveria po i fal detin Greqisë përmes marrëveshjeve të fshehta, akuza që janë hedhur poshtë nga kryeministri.

Rama tha se mes Shqipërisë dhe Greqisë, diskutimet për një marrëveshje për dertin kanë pezulluara dhe se ende nuk ka një grup negociatorësh. Por edhe nëse do të arrihet një marrëveshje tha Rama, ajo do të kalojë nga presidenti Meta, i cili gjithashtu ka qenë pjesë e zërave akuzues në këtë përplasje.