Kryeministri Edi Rama po zhvillon një vizitë zyrtare në Austri, ndërsa është takuar me homologun e tij Sebastian Kurz. Pas takimit dy kryeministrat kanë dhënë një konferencë për mediat. Sebastian Kurz deklaroi se Austria mbështet hapjen e negociatave për Shqipërinë, por u shpreh se nuk mund të flasë me siguri për një vendim pozitiv në 28 qershor për shkak se disa vende janë skeptike nisur nga problemet e tyre të brendshme.
Por tema kryesore e bisedës mes Ramës dhe Kurz ka qenë lufta kundër emigracionit ilegal nga Lindja e Mesme. Kurz u shpreh se BE do të japë mbështetje financiare për Shqipërinë dhe vendet e tjera të BE për të bllokuar rrugën e re që po përdorin emigrantët nga Greqia përmes Shqipërisë për të arritur në BE.
Të gjitha vendet e BE kanë nevojë për një perspektivë Europiane. Më parë ka pasur tensione për shkak të probleme etnike apo të tjerave politike. Stabiliteti në Ballkan do të thotë më shumë siguri dhe stabilitet edhe në vendin tonë.
Folëm për emigracionin ilegal, ne po përjetojmë në Ballkan një rrugë të re të emigracionit, kontrabandistët përpiqen ti marrin njerëzit nga Greqia përmes Shqipërisë për t’i dërguar në Europë. Duhet të luftojmë kundër kësaj rruge. Shifrat e refugjatëve po rriten duhet t’i trajtojmë që tani, përpara se të bëhen shumë të mëdha si në 2015.
Dëshiroj ta falënderoj Ramën, që në Shqipëri është gatishmëria për të luftuar emigracionin ilegal. Shqipëria ka nevojë dhe e ka merituar edhe mbështetjen tonë. Rama më kërkoi ta mbështes dhe unë i kam premtuar mbështetje financiare për Shqipërinë dhe vendet e tjera që janë në rrugën e re të Ballkanit për të luftuar emigracionin ilegal.