Kryeministri Edi Rama po zhvillon një vizitë zyrtare në Kroaci ku është pritur nga homologu kroat, Andrej Plenković. Pas takimit kokë më kokë, dy kryeministrat kanë dhënë edhe një konferencë për shtyp ku i janë përgjigjur interesit të medias.
Kreu i qeverisë kroate u shpreh se Zagrebi mbështet çeljen e negociatave të Shqipërisë me BE-në në qershorin e ardhshëm. Ai theksoi se pas zgjedhjeve europiane, Brukseli duhet t'i çelë dritën jeshile Shqipërisë, duke vlerësuar kursin progresiv të reformave, siç është reforma në sistemin e drejtësisë.
Sa herë takohem me kryeministrin Rama kjo pyetje është e para. Sa i përket qëndrimit të Kroacisë e kam theksuar edhe në mbledhjen e Sofjes se Kroacia është për hapjen e negociatiave të Shqipërisë por edhe për anëtarësimin e Shqipërisë dhe të Maqedonisë në Bashkimin Europian. Prej qershorit të kaluar deri në qershorin e ardhshëm, edhe Shqipëria, edhe Maqedonia, kanë kaluar një hap të madh mendoj kur janë në pyetje reformat sidomos në drejtësi. Pas zgjedhjeve europiane shpresoj se edhe Shqipëria do të fillojë negociatat e anëtarësimit.
Andrej Plenković, kryeministër i Kroacisë
Nga ana e tij kryeministri Edi Rama theksoi se Shqipëria meritonte çeljen e negociatave që këtë qershor, ndërsa u shpreh se një vendimmarrje të tillë nga a e Brukselit Tirana e pret qershorin e 2019-ës.
E thashë dhe më përpara që Kroacia ka qenë në mbështetje e gjithëhershme për Shqipërinë dhe shqiptarët që në ditët e para të pavarësisë së saj. Ajo që presim nga BE qershorin e ardhshëm, është ajo që meritonim që merrnim që këtë qershor, që të hapim negociatat për anëtarësim.