Vjedhjet në Tiranë përgjatë vitit 2019/ Në 1807 të ndodhura u zbuluan më shumë se gjysma

22 Shkurt 2020, 20:26

TIRANE- Vjedhjet dhe grabitjet, e sidomos kur autorët janë të armatosur vijon të mbetet një nga problemet më shqetësuese jo vetëm për shoqërinë shqiptare, por edhe për policinë që është tërësisht e angazhuar për zbardhjen e tyre dhe vënien para drejtësisë së autorëve. Qarku i Tiranës do ta mbyllte 2019-ën me 1.807 vjedhje e grabitje, e ndërsa 1.080 prej tyre do të arriheshin të zbuloheshin nga uniformat blu, ose e përkthyer ndryshe se zbulueshmëria ka qenë në masën 60%. Statistika e Drejtorisë së Policisë Tiranë, siguruar edhe nga Report Tv tregon se numrin më të lartë të vjedhjeve e grabitjeve të ndodhura në zona të ndryshme në kryeqytet e mbajnë ato në banesa, me 274 raste të ndodhura.

Nga këto ngjarje, policia ka mundur të zbardhë 130 prej tyre, e ndërsa po vijon puna për dokumentimin e 144 të tjerave. Sipas burimeve, pjesa më e madhe e personave të arrestuar janë përsëritës e me precedent të mëparshëm po për vjedhje e grabitje, ndërsa pjesa më e madhe e denoncimeve apo kallëzimeve në polici janë bërë gjatë sezonit veror. Ndërkohë, 24 vjedhje të tjera janë kryer me dhunë e janë zbuluar 17 prej tyre, ndërsa vjedhje me armë janë kryer në 5 raste, 3 prej të cilave janë zbuluar nga policia. Mësohet se për vjedhje me pasojë vdekjen numri i ngjarjeve në kryeqytet ka qenë 0. Të njëjtat burime sqaruan se në tërësi, zbulueshmëria e ngjarjeve të ndodhura në kryeqytet për vepra të ndryshme penale vitin e shkuar ka qenë në masën prej rreth 80%. Një arritje për uniformat blu në Tiranë është zbardhja edhe e ngjarjeve kriminale. Përgjatë vitit 2019, në qarkun e Tiranës janë shënuar 12 vrasje dhe zbulueshmëria e tyre ka qenë në masën 100%.