Vjosa Osmani zgjidhet presidente, përlotet në Kuvend: Nder i madh për mua, është ditë e Kosovës! Kurti: Jemi futur në një epokë të re qëndrueshmërie

4 Prill 2021, 20:44

Vjosa Osmani, gruaja që njihet për qëndrime të prera, armiqësi politike dhe shumë përplasje është zgjedhur presidente e Kosovës në raundin final. Me zgjedhjen e saj presidente nuk do të ketë zgjedhje të parakohshme ashtu sikurse kishte paralajmëruar Albin Kurti.

Gjatë seancës së sotme në sallë sot u paraqitën 84 deputetë, mes tyre  Adem Hoxha dhe Fadil Gashi, të cilët dje kishin munguar në seancën e së shtunës. Politikania më e votuar nga zgjedhjet në historinë e shtetit të Kosovës, më në fund, siguroi edhe votat e deputetëve për t’u zgjedhur presidente me 71 vota pro saj.

Vjosa Osmani arriti ta kalojë me sukses raundin e parë për t’u bërë Presidente, pasi pjesëmarrës në votim sipas komisionit ishin 81 deputetë. Por, ajo nuk u zgjodh presidente e vendit në raundin e parë duke mos arritur votat e mjaftueshme. 12 fletëvotime ishtin të pavlefshme, për Osmanin votuan 69 deputetë në raundin e parë.

Seanca e sotme erdhi pas dështimit për të zgjedhur presidentin e vendit, gjatë ditës së shtunë. Dje, raundi i parë i votimit u përsërit dy herë, pasi në votim nuk morën pjesë 80 deputetë apo dy e treta e deputetëve, numër ky i nevojshëm për t’u konsideruar raundi i parë i votimit. Presidentja Vjosa Osmani garonte për presidente përballë Nasuf Bejtjas.