Vlerësimi i 'The Economist' për përmirësim të demokracisë, Rama: Jemi futur në të njëjtën klasë me BE dhe SHBA!

4 Shkurt 2021, 19:37 | Përditesimi: 4 Shkurt 2021, 19:37

Kryeministri Rama ka komentuar disa prej vlerësimeve të organizmave ndërkombëtare për Shqipërinë ku mund të përmendim raportin e The Economist për rritjen e indeksit të demokracisë në vend. Kreu i qeverisë u shpreh se një prej arsyeve kryesore që solli këtë projekt është reforma elektorale e realizuar në 2020-ën, pavarësisht se ajo ka qenë fort e kontestuar nga aktorët politikë të brendshëm.

“Deri në 2013 trendi i vlerësimit të indeksit të demokracisë ka rënë ndjeshëm. Pas 2013-ës është rritur. Është një vlerësim që shënon arritjen më të lartë të indeksit të demokracisë. Sjellë kalimin në një kategori tjetër. Jemi futur në të njëjtin klasë, me shtetet anëtare të BE-së. Vendet e tjera të rajonit renditen në kategorinë e regjimeve hibride. Shqipëria renditet në kategorinë e një demokracie të mirë. Kjo nuk është për të bërë garë dhe të themi se jemi më të mirë se ata. Duke qenë se vijmë nga më poshtë, vlerësimi i indeksit na bën që të kemi rritje. Në një kohë që shumë vende të tjera kanë përkeqësim gjatë pandemisë.

Teksa përmendi raportin e organizatës prestigjioze Standard and Poor’s, Rama u shpreh se janë vënë bazat për ekonomi të konsoliduar. Ai u shpreh se paga minimale do të rritet çdo vit. Sipas tij, pas pastrimit nga llumi i prokurorëve dhe gjykatësve nga vettingu, drejtësia e re duhet t'i thërrasë ato dhe t'i vendos para ligjit për të dhënë llogari. Rama tha se procesi i drejtësisë së re vijon dhe se kjo nuk ndodh sa hap e mbyll sytë.

Kryeministri Rama tha se Shqipëria renditet dy vende më sipër se vitin e kaluar në vlerësimin e indeksit të korrupsionit. Ndërsa lidhur me përmirësimin e indeksit ekonomik, kryeministri u shpreh se në këto ka ndikuar reagimi i shpejtë i qeverisë dhe mbledhja enjë shifre kontributesh pas tërmetit dhe ndihma e shtetit për qytetarët.

Së fundmi, kreu i qeverisë, ka ironizuar programin ekonomik të PD duke thënë se Basha ka logjikën që të ulim prodhimin e qumështit dhe të rrisim atë të prodhimit të djathit. Duke ironizuar pikat e programit të PD se do të rrisin pensionet dhe do të ulin sigurimet shoqërore, Rama tha se pensionet financohen nga sigurimet shoqërore dhe se logjikë e Bashës është t'i bie shkurt gjërave ashtu siç PD i ka rënë shkurt sa herë ka pasur pushtetin në dorë.

 

b.ha./Shqiptarja.com