Vlorë/ Fshati Kuç i mbetur në 'vetmi', braktiset nga të rinjtë! E moshuara: Bëjnë gabim, do kthehen një ditë

25 Janar, 21:26

VLORË- Fshati Kuç në Vlorë, i njohur për karakterin krenar të banorëve të tij, ka mbetur sot i heshtur e i ftohtë në mes të maleve.

Distanca e largët nga Vlora në rreth 65 km dhe mungesa e theksuar e infrastrukturës, bëri që Kuçi të izolohej, çka ndikoi në vendimin e banorëve të largoheshin nga fshati për një jetë me të mirë.

Nga rreth 700 familje, nga një fshat me nivel jetese të mirë për kohën, me kinema, librari , dy gjimnaze që mblidhnin nxënësit e gjithë zonës, nga shkollat me konvikte, spitalet e hotelet, sot Kuçi numëron më pak se 100 familje, ku kanë mbetur vetëm të moshuarit. Në godinat që dikur gëlonin nga zërat, sot kanë mbetur muret gjysmë të shkatërruara.

Ndodh që në fshat të shohësh edhe ndonjë person të ri në moshë, ashtu si dy djemtë që takuam gjatë udhëtimit tonë, të dy me emrin Shpëtim, njëri 16 e tjetri 20 vjeç.

Shpëtim Xhaferraj, 16 vjeç shkon në gjimnaz, ka pak bashkëmoshatarë aty, ai tregon se veç shkollës merret me bagëti.

"Jam 16 vjeç dhe jemi 10 veta në klasë, fshati është shpërndarë në vende të tjera nëpër qytete. Edhe unë do iki, do iki në Itali", tha 16 vjeçari.

Shpëtim Lalaj është një tjetër i ri në fshat, ai na thotë se ka vetëm 2 bashkëmoshatarë që kanë mbetur aty. Ai merret me baxho dhe shprehet se nuk do të qëndrojë më në Kuç.

"Kam mbaruar këtu shkollën e mesme. Kam 2 vite që punoj në një biznes privat në baxho për përpunimin e qumështit. Jeta këtu është e vështirë, i gjithë brezi im mund të jenë vetëm 2-3 veta. Nëse do të kishte rrugë do rritet dhe mirëqenia e fshatit. Dhe unë nuk dua të rri këtu, do vazhdoj shkollën e policisë dhe do iki nga këtu", tha i riu.

Banorët e mbetur aty tregojnë sesi e kujtojnë fshatin, Kuç të dikurshëm.

"Janë a nuk janë më pak se 100 familje, kanë qenë nja 600 a 700 familje. Por me hapjen e kufijve të rinjtë janë larguar për një mirëqenie të mirë. Njerëzit nga Kuçi i ka larguar vetëm rruga e keqe", thanë banorët.

Nënë Bedina 82- vjeç edhe pse të 6 fëmijët i janë larguar nga fshati mendon që të gjithë banorët do kthehen sërish dhe e quan vendim të gabuar faktin që janë larguar. Sipas saj, jeta në fshat nuk krahasohet me atë në qytet.

"Unë jam 82 vjeç, fëmijët i kam në Korfuz në Vlorë. Kanë braktisur fshatin se s'kanë tru, por po të bëhet rruga do shikosh ti sesi do të vijnë prap të ghithë këtu do duan dhe shtëpi. Kuçi gjallëronte më parë me këngë. Unë nuk largohem, këtu e dua shpirtin në Kuç", tha nënë Bedina.

Kuçi është vetëm një prej qindra fshatrave të labërisë që sot krahasuar me vite me parë u kanë mbetur vetëm kujtimet. Banorët janë larguar, e rikthimi i tyre mbetet shpresa e vetme.

Kategori të tjera