Dy gomone ndiqen me avion nga Frontex, njëra prej tyre braktisët në Vlorë

30 Janar 2020, 09:53 | Përditesimi: 30 Janar 2020, 14:18

VLORE-  Një gomone rreth 10 metra e gjatë, me tre motorrë të fuqishëm është gjendur e braktisur mëngjesin e kësaj të enjte në zonën e plazhit të vjetër në afërsi të Pyllit të Sodës në Vlorë pas një ndjekjeje nga nga uji, toka dhe ajri nga policia kufitare shqiptare dhe forcat e Guardia Di Finanza-s.

Ka qenë avioni i Forntex-it i cili gjatë ditës së djeshme ka pikasur dy mjete lundruese tip gomone në Korfuz duke lundruar drejt ujërave shqiptare. Gjatë ndjekjes nga avioni i Forntex, një nga gomonet është kthyer përsëri në ujërat greke, ndërsa gomonia tjetër duke përfituar  nga kushtet atmosferike dhe errësira e natës është braktisur nga ekuipazhi në bregdetin e Vlorës.Gjatë kontrollit nga policia në gomone nuk është gjetur asnjë send apo material i kundërligjshëm,përveç bidonëve me karburant. Burime për Report TV bëjnë me dije se mjeti lundrues do të përdorej për trafik droge. Ndërkohë policia po vijon punën për dokumentimin e plotë të ngjarjes, si dhe për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

b.ha./Shqiptarja.com