Vlorë/ Ngritja e flamurit, ‘festë' pa qytetarë në 28 nëntor

27 Nëntor 2020, 18:09

VLORË - Ceremonia e ngritjes së flamurit në 28 nëntor nuk do t’u ngjajë ceremonive të një viti më parë. Për shkak të pandemisë COVID-19 do të ndalohet prezenca e qytetarëve në shesh për zhvillimin e ceremonialit shtetëror.

Kryebashkiaku i Vlorës Dritan Leli ka zgjedhur sheshin historik, ndërsa kjo ceremoni do të bëjë bashkë krerët më të lartë të politikës në vend, që nga presidenti i Republikës, kryeministrit i vendit dhe kryparlamentari Ruçi.

“Pavarësisht kushteve në të cilat ndodhemi dhe respektimit të masave anti COVID, ceremonial ii ditës së flamurit nesër do të ndodhë dhe pas kësaj do të ketë vendosje të kurorave nga personalitetet në varrin e Ismail Qemalit. Një ceremoni e thjeshtë, në respektim të rregullave por dhe në respekt të traditës për ditën e flamurit”, shprehet kryebashkiaku Leli.

I keqardhur që ceremonia do të zhvillohet pa praninë e qytetarëve, kryetari i Bashkisë këtë masë e sheh si një detyrim në emër të jetës.

“Kam informacione se në Vlorë ka shumë njerëz që kanë zgjedhdur të kalojnë fundjavën në Vlorë për ta vizituar në ditën e flamurit, i këshilloj të mos jenë prezent në shesh në orën 10:00. Është një vendim pro jetës. Qytetarët e Vlorës të tregojnë më shumë qytetari”, tha ndër të tjera kryetari i Bashkisë Vlorë.

Për qytetarët e Vlorës kjo është hera e parë që u kërkohet të mos jenë prezentë, duke shënuar ceremoninë më të pazakontë të mbajtur ndonjëherë në nder të ditës së ngritjes së flamurit, festes së pavarsisë.