Qeveria mbledhje informale në Vlorë, ndryshimet e kabinetit në horizont?

25 Gusht 2018, 10:25 | Përditesimi i fundit: 2018-08-25 13:13:33

Në një perimetër të lartë sigurie, ka nisur dita e dytë e mbledhjes së qeverisë në vilën qeveritare nr.1 në Vlorë. Report Tv ka zbuluar detaje nga diskutimet e djeshme në ditën e parë të mbledhjes. Mësohet se Kryeministri Edi Rama nuk ka shprehur asnjë kritikë apo preferencë personale për ministrat e qeverisë. Vetë Rama paralajmëroi në pranverën e këtij viti, se vjeshta do të ketë ndryshime në kabinetin e qeverisë bazuar në performancën e ministrave, por siç duket Rama pritet që ndryshimet, nëse do të ketë të tilla, t’i bëjë publike në momentin e fundit, që do të jetë mbledhja e Asamblesë së Partisë Socialiste në datë 1 dhe 8 shtator.

Gazetarja e Report Tv, Esiona Konomi, raportoi mëngjesin e sotëm nga Vlora, aty ku mbledhja e qeverisë ka më shumë tiparet e një mbledhje të Partisë Socialiste, ku nuk mungojnë dy eksponentë shumë të rëndësishëm në PS, kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla dhe kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi. Mbledhja është fokusuar në një strategji politike për komunikimin me publikun, ndërkohë që në mbledhje kanë marrë pjesë ministrat socialistë, ku është diskutuar mbi realizimin e programit të socialistëve në 1 vit qeverisje. Qeveria ka mbyllur kështu zyrtarisht pushimet, ndërkohë që pritet mbledhja e Asamblesë së PS-së në 1 shtator për të mësuar më shumë mbi “fatin” e ministrave të PS-së. Një tjetër detaj që vjen nga Vlora është se kjo mbledhje karakterizohet nga masa të shumta sigurie. Edhe në baret dhe restorantet pranë rezidencës janë vendosur roje të Gardës së Republikës.

    No videos found.