Vlorë, zbardhen bisedat/ Gruaja me urdhër mbrojtje telefonoi policinë: S'më morën kallëzimin

30 Qershor 2018, 23:26 | Përditesimi: 30 Qershor 2018, 23:26

Një 31-vjeçare nga Vlora akuzon se është dhunuar sistematikisht nga ish-bashkëshorti i saj dhe për këtë gjykata i ka caktuar tri herë një urdhër mbrojtjeje.

Ky vendim është thyer dhe gruaja me iniciale M.Sh. thotë se ndihet e kërcënuar nga njeriu me të cilin ka edhe fëmijë. Me frikën se situata të rënda mund të përsëriten, e dhunuara i ka telefonuar policisë së Vlorës, ku kërkon edhe një takim me drejtorin.

Rasti i saj u denoncua live ne Report Tv edhe nga avokati Idajet Beqiri, i cili shkoi edhe me tej, duke akuzuar policinë e qytetit bregdetar për neglizhim të këtij rasti.

Rastet e grave të dhunuara ndaj të cilave thyhet urdhri i mbrojtjes janë shtuar në Shqipëri, duke bërë që ngjarjet shpeshherë të përfundojnë me pasoja fatale. Ende nuk ka një reagim nga uniformat blu të Vlorës, të cilët duhet të kthejnë një përgjigje edhe për akuzat e avokatit Beqiri.

b.ha./Shqiptarja.com