Kryetarja e LSI,Monika Kryemadhi ishte sot në studion e Zërit të Amerikës në SHBA. Në fund të intervistës gazetarja tha se sipas informacioneve të 'Zërit të Amerikës' Petrit Vasilit i është refuzuar viza për të hyrë në Amerikë. Kryemadhi tha se Vasili është një njeri pa probleme por nuk vë dorën në zjarr për askënd.
"Nuk besoj se i është refuzuar viza. Nuk kam informacion. Në qoftë se ka një njeri pa probleme ai është zoti Vasili. Megjithatë unë nuk e vë dorën në zjarr as për fëmijët e mi e as bashkëshortin tim. Por zoti Vasili ka qenë një nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të ambasadës amerikane për reformën në drejtësi", u shpreh Kryemadhi.
Ajo foli edhe për krizën politike në vend, ku akuzoi kryeministrin Edi Rama se ka kapur reformën në drejtësi dhe tha se dosjet e përfolura nga opozita dëshmojnë se Rama ka vjedhur votat më 2017.
"Disa herë prej LSI është denoncuar kanabizimi i vendit. Janë përdorur paratë e krimit për të blerë votat. Njerëz populistë si Edi Rama vijnë në pushtet përmes kapjes së sistemeve. Shqiptarët dhe LSI e cila ka pasur një rol të jashtëzakonshëm për Reformën në Drejtësi. Edi Rama sot po tenton të kapë Reformën në Drejtësi. Vjedhja vjen kur unë marr votën tënde dhe e kaloj në emrin tim por më e rrezikshmja është kur të kërcënoj me paratë e krimit. Dosja 339 ka ngelur pezull. E njëjta gjë ndodh edhe me dosjen e Unazës së Re. E gjithë klasa politike është shkaktare e kësaj situate, përfshirë edhe mua, pasi kemi mbyllur sytë dhe gojën për shkak të disa benefiteve politike. Shqipëria është një nga shtetet që nuk e ka pranuar influencën ruse.
Rusia ka dështuar dy herë me vendin tonë, në vitet '70 dhe sot. Dënoj çdo lloj dhune të kujtdo individi. Qëllimi i LSI nuk është të pushtojë godinat por të pushtojë zemrat e shqiptarëve. Kroacia sot është anëtare e BE ndërsa ne po zvarritemi. Djegia e mandateve ka qenë një veprim ekstrem. Aktet e dhunës nuk e favorizojnë opozitën por viktimizimin e Edi Ramës. Me qindra të rinj presin në radhë për të ikur jashtë vendit. Nëse opozita nuk do dilte në rrugë, populli nuk do e besonte politikën. Ne kërkuam vettingun në politikë, pasi ajo duhet të pastrohet nga e kaluara e errët e çdo kandidati, për familjarë apo biznese të lidhur me krimin", deklaroi Kryemadhi.