Vokshi akuza qeverisë: Shkollat po kthehen në vatër infeksioni të COVID

19 Tetor 2020, 10:51 | Përditesimi i fundit: 2020-10-19 10:59:20

Ish deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi nga shkolla 9-vjeçare "Emin Duraku" denoncoi qeverinë se po fsheh shifrat e vërteta të mësuesve të infektuar duke mos lajmëruar prindërit dhe rrezikuar jetën e qytetarëve. Vokshi shprehet se shkollat janë kthyer në vatra infeksioni dhe se deri tani rezultojnë 320 mësues dhe nxënës të prekur, por sipas saj shifrat reale po fshihen.

Vokshi ka akuzuar qeverinë se nuk ka krijuar kushtet e duhura për nisjen e shkollës dhe krijimin e ambienteve të përshtatshme, ndërsa sipas saj shumica  e shkollave nuk kanë as kushtet higjieno-sanitare të nevojshme.

Deklarata e plotë e Albana Vokshit

Informacione shqetësuese vazhdojnë të vijnë çdo ditë në Partinë Demokratike. Numri i rasteve të mësuesve dhe të nxënësve që janë infektuar me virusin Covid-19 është në rritje eksponenciale. Ajo çka i frikoheshim dhe kishim paralajmëruar ne si Parti Demokratike, shumë ditë para fillimit të vitit të ri shkollor, po ndodh. Shkollat po shndërrohen në vatra të rrezikshme të përhapjes së përhapjes së Covid -19. Situata është krejt jashtë kontrollit dhe qeveria duket se e ka lënë atë në rënie të lirë dhe nuk po merr asnjë masë. Shkollat në 90% të tyre janë pa kushtet minimale higjieno sanitare, janë pa ujë të rrjedhshëm, janë pa sapun, mësuesit janë të lodhur, janë të rraskapitur, janë të keqtrajtuar, janë të shfrytëzuar me dhjetëra orë  të papaguar në javë, pavarësisht se ato sikurse edhe mjekët janë në vijën e parë të betejës me virusin Covid-19 duke rrezikuar çdo orë mësimore shëndetin dhe jetën e tyre.

Vetëm pak ditë më parë për fat të keq një mësues, një tjetër prind, një drejtues i shkollës në Paskuqan humbi jetën. Pikërisht kjo humbje jete e një mësuesi, kjo rritje eksponenciale e numrit të mësuesve dhe të nxënësve të rezultuar pozitiv me Covid-19 duhet t’u shërbente si kambanë alarmi për qeverinë, për Ministrinë e Arsimit, për ministren Kushi për t’u shkundur, megjithëse e marrë me shumë vonesë, masat e duhura për të krijuar ambientet e përshtatshme dhe të sigurta për mësimdhënie për mësuesit dhe për nxënësit. Por qeveria, Edi Rama, nuk ka prioritet as mësuesit, as nxënësit, prioriteti i vetëm është që paratë e buxhetit të shtetit të dërgohen në parajsa fiskale, të dërgohen në xhepat e oligarkëve, të dërgohen në pagesa për inceneratorët me kompani fantazëm dhe jo të mbështeten e mësuesve, për mbështetjen e nxënësve  dhe për mbështetjen e mësimdhënies cilësore.