Ish-deputetja demokrate Albana Vokshi ka dalë në një deklaratë për mediat ku ka deklaruar se liria e medias është një kusht i panegociueshmëm për hapjen e negociatave. Ajo tha se në raportin e sotëm të organizatës botërore të gazetarëve “Reporterët pa Kufinj” ngrihet alarmi se pa arritur lirinë e medias, rruga e Shqipërisë për në BE është e gjatë.
Vokshi tha se pas cënimit të disa gazetarëve nga media të ndryshme në vend, PD ka informuar në vijim të gjitha përfaqësitë diplomatike dhe organizatat ndërkombëtare për Lirinë e Medias dhe ka kërkuar prej tyre të sjellin misione monitorimi për situatën e rëndë të medias në Shqipëri, si dhe të ushtrojnë të gjithë presionin e tyre ndaj Kryeministrit për të ndalur sulmet ndaj mediave dhe gazetarëve.
'PD ka denoncuar, prej kohësh, situatën alarmante të lirisë së medias në Shqipëri. Pa media të lirë nuk ka transparencë dhe llogaridhënie të qeverisë, nuk ka informim të publikut, rrjedhimisht nuk ka zgjedhje të lira. Media e Lirë është kushti i panegociushëm për hapjen e negociatave. Në situatën e rënduar për mediat dhe gazetarët, raporti i sotëm i organizatës botërore të gazetarëve “Reporterët pa Kufinj” ngre alarmin se pa liri të medias rruga e Shqipërisë për në Bashkimin Europian është e gjatë.
“Sulmet ndaj medias si nga qeveria, ashtu edhe nga krimi i organizuar arritën në një nivel të paprecedentë në vitin 2018”-thuhet në raport. Në publikimin e sotëm të Indeksit Botëror të Lirisë së Medias, Shqipëria ka zbritur 7 vende, duke parë si përgjegjës kryesor kryeministrin Edi Rama. Ai ka vënë ën kontroll shumicën prej tyre, nëpërmjet lidhjeve me pronarët oligarkë, tenderave, koncesioneve, PPP-ve apo licensave korruptive, siç evidentohet në raport.
Reporterët pa Kufij shprehin shqetësimin se për “kapjen e mediave dhe përqëndrimin e tyre në duart e një grushti biznemenësh të mëdhenj.”
“Politikanët, duke nisur nga kryeministri Edi Rama, i quajnë gazetarët kazan dhe fabrikantë të lajmeve të rreme.” -thekson raporti, i cili kritikon dy projektligje për median të Edi Ramës si propozime që “forcojnë kontrollin e shtetit mbi median elektronike dhe kufizojnë aksesin tek lajmet dhe informimi.” Parimi i Ramës është atë që nuk e blen dot me tendera, koncesione, licensa – e kërcënon e shantazhon, fyen, përçmon, e çon në gjyq.