TIRANË- Kryebashkiakja në ikje e Shkodrës Voltana Ademi ankimon në Gjykatë zgjedhjet lokale të 30 qershorit. Ditën e sotme ajo ka paraqitur në Gjykatën Kushtetuese një padi në emër të bashkive të Shqipërisë, një shoqatë e drejtuar prej vetë asaj, përmes të cilës kërkon që procesi i zgjedhjeve të 30 qershorit të mos njihet.
Pas daljes nga Gjykata Kushtetuese Ademi deklaroi se kërkesa e sotme nuk ka të bëjë vetëm me anikimimin e procesit zgjedhor por edhe me verifikimin e regjistrimit të Bindjes Demokratike. Ajo tha se kërkesa e saj do mund të shqyrtohet sapo të ngrihet Gjykata Kushtetuese duke deklaruar se shpreson se Rama nuk do të pengojë ngritjen e saj. Ademi vuri theksin tek vendimet e ndryshme të gjykatave lidhur me njohjen e mandateve të kryebashkiakëve.
"Ne sot kemi referuar në Gjykatën Kushtetuese kërkesën me objekt konstatimin anti kushtetues të zgjedhjeve të 30 qershorit dhe verifikimin e ligjshmërisë së regjistrimit të Bindjes Demokratike. Jemi këtu duke iu referuar një të drejte kushtetuese për të zbatuar kushtetutën. Dekreti i presidentit duhet të merret në konsideratë. Në momentin që kjo gjykatë të jetë në punë të mund të fillojmë menjëherë gjykimin e kësaj çështjeje. Shpresojmë që Edi Rama të mos pengojë ngritjen e kësaj gjykate dhe të mos fusë duart në emërimet e saj. Ne po veprojmë në mënyrë institucionale, duke iu drejtuar institucioneve të drejtësisë që të përdorim atë që është një e drejtë e jona. Kjo është rruga që po ndjekim. Shpresojmë që organet e drejtësisë do të funksionojnë. Ajo që ne dimë është se kemi gjykata që kanë vepruar në mënyrë të ndryshme dhe kjo ngre një pikëpyetje të madhe e cila do çojë drejt një kaosi që do dojë një shpjegim se çfarë ka ndodhur", tha Ademi.