Votimi në të gjithë vendin, KQZ: Problematika vetëm në 142 qendra (nga 5199), po marrin zgjidhje!

25 Prill 2021, 12:17 | Përditesimi i fundit: 2021-04-25 13:15:36

Në orët e para të procesit të votimit ka pasur disa problematika jo madhore në disa qendra të cilat po marrin zgjidhje nga KQZ.  Kryekomisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, ka thënë se në vetëm 142 qendra votimi nga 5199 gjithsej në të gjithë vendin ka probleme me procesin e identifikimit elektronik dhe procesi po bëhet manualisht.

Ai ka thënë gjithashtu se në vetëm 1 qendër votimi është pezulluar procesi i votimit, në Lekbibaj në Tropojë, për shkak të konfliktit mes palëve. 

Më herët po nga KQZ, zëdhënësja e këtij institucioni Drilona Hoxha tha se në disa zona të thella nuk ka pasur operatorë për paisjen e identifikimit elektronik, kjo edhe për shkak të infrastrukturës së vështirë. 

Kësisoj vonesat që janë konstatuar deri më tani në disa qendra votimi janë për shkak të pajisjes së identifikimit. Ndërkaq Hoxha është shprehur se nuk ka pasur asnjë problematike në shpërndarjen e materialeve të votimit.