Vrasja e 25-vjeçarit nga polici, PD: Akt kriminal! Asgjë nuk ka ndryshuar nga regjimi policor i 30 viteve më parë!

8 Dhjetor 2020, 19:20

Asgjë nuk ka ndryshuar në radhët e policisë në 30 vite në mënyrën e përgjigjes së efektivëve ndaj qytetarëve”. Kështu e ka cilësuar Partia Demokratike vrasjen e 25-vjeçarit Klodian Rashës nga ana e efektivit ditën e sotme në Tiranë.

Përmes një deklarate zyrtare, ish-deputeti Enkelejd Alibeaj thotë se nuk është faji i policit por është faji i kryeministrit Rama dhe Ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj mbi politikat e zgjdhura për drejtimin e policisë.

Ai thotë se asgjë nuk mund ta justifikojë vrasjen e të riut dhe se autoritetet duhet të marrin menjëherë masa për ndalimin dhe manipulimin e ngjarjse dhe zbardhjen e së vërtetës.

“Për këtë akt kriminal të pashembullt duhet drejtësi pa vonesë” – thotë Alibeaj.

Deklarata e plotë e Enkelejd Alibeajt:

30 vjet më parë, si në këtë natë, të rinjtë u ngritën kundër një regjimi që i mbante të izoluar dhe të nënshtruar përmes represionit, dhunës, torturave, frikës, përmdjekjes, burgimit dhe vrasjeve pa gjyq.

30 vjet më pas, me Edi Ramën në krye të qeverisë, asgjë nuk ka ndryshuar në mentalitetin e regjimit policor të drejtimit të shtetit.

Në Ditën e Rinisë, një 25 vjeçar u  ekzekutua me plumb në kokë nga regjimi, sepse nuk respektoi orën policore të karantinës. Një i ri që vrapon për t’i shpëtuar gjobës apo sjelljes brutale, që e kemi parë të gjithë në rastin e 15-vjeçarit gjatë karantinës së parë, nuk përbën asnjë rrezik për policinë.

Ajo që e bën edhe më të rëndë situatën, janë njoftimet zyrtare të Policisë së Shtetit, të cilat krijojnë bindjen e tentativës për manipulimin dhe fshehjen e së vërtetës, me justifikime të denja për një bandë.

Asnjë skenar i sigurimit të shtetit nuk mund të justifikojë ekzekutimin e të riut.